Kur Anthony Joshua të kthehet në ring, ai mund të ketë mbështetjen e Oleksandr Usyk dhe ekipit të stërvitjes së kampionit të padiskutueshëm të botës në peshën e rëndë. Joshua aktualisht është i pavendosur nëse do të punojë me ekipin Usyk në të ardhmen, por një partneritet i rëndësishëm mund të nisë mes dy boksierëve.
Usyk u bë boksieri kryesor i peshës së rëndë i kësaj gjenerate me dy fitoret e tij ndaj Anthony Joshua dhe Tyson Fury në vitet e fundit. Ende i pamposhtur në ring, ukrainasi i mban të gjithë titujt kampionë bote në peshën e rëndë. Eddie Hearn, promotori i Joshua, saktësoi gjithçka në lidhje me këtë dëshirë të britanikut.
“Joshua është në kërkim të vazhdueshëm për t’u përmirësuar dhe për të mësuar. Gjatë viteve kam mësuar se gjëra të tilla do të vijnë prej tij në aspektin e një njoftimi ose një vendimi. Ai gjithmonë ka qenë kurioz të dijë e mësojë më shumë, si stërviten rivalët e tij, si përgatiten ata”, tha Eddie Hearn për “Sky Sports”.
Megjithatë, nëse ekipi i Usyk do të bëhet një element i përhershëm për Joshua mbetet për t’u parë. Hearn e përshkroi qëndrimin e Joshua si të pavendosur. Më parë, në karrierën e tij, Joshua ka kaluar kohë me trajnerë kryesorë në botë, si mentori i Canelo Alvarez, Eddy Reynoso, edhe pse nuk është bërë një partneritet stërvitjeje.
“E di mënyrën se si mendon AJ. Ai ndoshta i sheh performancat e Usyk dhe mendon se dua të shkoj dhe ta shoh atë. Nuk e kam takuar, por ai do të marrë një vendim së shpejti për të ardhmen. Do të marrim një vendim këtë javë nëse ai do të ndeshet këtë vit. Duhet të vendosim deri këtë fundjavë”, shtoi Hearn.







