Kanë kaluar mbi 11 vite që kur Lassana Diarra nisi betejën e tij ligjore kundër FIFA-s dhe tani historia vazhdon me një kapitull të ri. Ish-mesfushori francez ka paraqitur një kërkesë dëmshpërblimi prej 65 milionë euro pas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian (GJED), e cila shpalli të paligjshme disa rregulla të sistemit të transferimeve.
Çështja nisi në vitin 2014, kur Diarra tentoi të zgjidhte kontratën me Lokomotivën e Moskës për t’u transferuar te Charleroi. FIFA e pengoi. Në tetor 2024, GJED i dha të drejtë francezit. Me mbështetjen e plotë të FIFPRO, ai kërkon tani dëmshpërblim.
Diarra deklaroi: “Jam i detyruar të luftoj në këtë betejë që prej gushtit 2014. Munda t’i rezistoj presionit të FIFA-s, sepse pata një karrierë të mirë, por e bëj edhe për lojtarët e rinj, që nuk kanë mjetet për t’u përballur”. Ai shtoi se FIFA dhe Federata Belge “humbën në çdo front”, teksa akuzoi institucionet për “përçmim ndaj ligjit dhe lojtarëve”.
Avokati i tij, Martin Hissel, theksoi: “Pas vendimit të GJED, në mungesë të një marrëveshjeje, hapi i radhës është rikthimi në gjykatat kombëtare. Brenda 12-15 muajsh pritet vendimi i drejtësisë belge, me FIFA-n dhe Federatën Belge përgjegjëse”.
Ai kujtoi se të gjithë lojtarët profesionistë, që kanë luajtur në BE ose në Britaninë e Madhe që prej vitit 2002, kanë të drejtë për kompensim. Iniciativa kolektive “Justice for Players”, e përfaqësuar nga “Finch Dispute Resolution”, synon dëmshpërblim dhe reforma në qeverisjen e futbollit.
FIFPRO konfirmoi se rasti vijon, ngaqë FIFA nuk tregoi kurrë vullnet për marrëveshje: “Vendimi për të ecur përpara u mor pasi dështuan përpjekjet për kompromis”. Pra, mbështetje e plotë për Diarra.
Vendimi i GJED ishte i qartë: rregullat e FIFA-s, që e bënin klubin e ri bashkëpërgjegjës në rast prishjeje kontrate, cenonin lirinë e lëvizjes së punëtorëve, sipas nenit 45 të Traktatit të BE-së.
Ky precedent, i njohur tashmë si “Vendimi Diarra”, hap rrugën që futbollistët të kërkojnë kompensim për dëmet e shkaktuara dhe detyron FIFA-n të përputhë rregulloret e saj me ligjin europian. Mbi të gjitha, rasti konfirmon se asnjë organizatë sportive nuk mund të vendoset mbi ligjet e BE-së.







