Bonny: Kur të kërkon Interi, nuk mendohesh dy herë. Trajnerit Chivu i detyrohem shumë

20 Gusht 2025
8:23
Alfred Lleshi
back button

Ange-Yoan Bonny, sulmuesi i Interit, foli për “Gazzetta dello Sport” pak ditë para nisjes së kampionatit italian: “Po përgatitem siç duhet. Miqësoret më shërbyen për të filluar të kuptoj si luan Interi, në çfarë mund të jem më i dobishëm dhe çfarë presin shokët e skuadrës nga unë. Pjesa më e madhe e grupit njiheshin prej vitesh, edhe ne të rinjtë po përshtatemi mirë. Përgatitja ishte e lodhshme, por këmbët po fillojnë të funksionojnë…”

A ishte i lumtur që ritakove Chivu?
Marrëdhënia me të nuk ka ndryshuar, është i njëjti trajner si në Parma, vetëm se në një nivel më të lartë, por me të njëjtat cilësi. Është i drejtpërdrejtë, kërkues, i ndershëm. Jam shumë i lumtur që e kam takuar në momentin e duhur të karrierës, i detyrohem shumë. Nëse jam këtu është edhe merita e tij. Tani jam shumë i motivuar dhe do të përpiqem të marr hapësirat e mia, sepse ky është vetëm fillimi. Sidoqoftë, ky fillim më pëlqen…

A refuzove skuadra të tjera të mëdha për Interin?
Shumë skuadra më donin, por nuk pata dyshime: kur të kërkon Interi, nuk mendohesh dy herë. Kjo skuadër ishte ajo që kërkoja, këtu doja të jetoja ëndrrën time të fëmijërisë. Sapo firmosa, hodha në rrjetet sociale një foto të bërë kur isha i vogël me fanellën zikaltër. Ajo ishte fanella ime e parë e futbollit, që ma bleu nëna në moshën 6-vjeçare. Jam i lidhur me të përjetë. Pastaj, ky është edhe një klub shumë francez, duke parë kampionët që ka pasur.

A e ndien peshën e faktit që je blerë për 23 milionë euro?
Janë vetëm shifra, nuk duhet të rëndojnë. Nuk është puna ime të mendoj për çmimin, por të djersij, sepse kam shumë për t’u përmirësuar. Në gjithçka, por në dy gjëra në veçanti: qetësinë para portës, sepse duhet të shënoj më shumë, dhe lojën në ajër.

Çfarë do të thotë të kesh Lautaron dhe Thuramin në skuadër?
I studioj, përpiqem të kuptoj detajet, mënyrën si lëvizin, me ose pa top. E bëj për të provuar që një ditë t’i afrohem nivelit të tyre. Tani jam shumë larg. Si Lautaro, ashtu edhe Thuram më kanë thënë dy gjëra të thjeshta, si vëllezër më të mëdhenj: e para, kënaqu. E dyta, kërko gjithmonë portën, sepse jemi sulmues dhe vlerësohemi nga golat që realizojmë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit