Chivu, në prag të ndeshjes ndaj Monterrey: Askush nuk të dhuron asgjë, ja si do të luajë Interi im

17 Qershor 2025
10:36
Alfred Lleshi
back button

Pas konferencës së shtypit që mbajti disa ditë më parë, trajneri i ri i Interit, Cristian Chivu, foli direkt nga grumbullimi i ekipit për sfidën ndaj Monterrey.

Si është gjendja e skuadrës? A do të shohim ndonjë fytyrë të re?
Skuadra ka punuar mirë, jemi të plotë prej dy ditësh, edhe pse me disa shqetësime e probleme të vogla. Gjithsesi, asgjë serioze. Lojtarët e rinj kanë punuar mirë… Luis Henrique është pak prapa me formën, pasi ka pasur disa javë pushim, Petar (Sucic) erdhi direkt nga kombëtarja dhe ka më shumë stërvitje me ne. Do t’i shihni në lojë, ose nga fillimi, ose gjatë ndeshjes (qesh).

A do të vazhdoni me formacionin 3-5-2? Çfarë do të ndryshojë me idetë tuaja?
Në Itali jemi shumë të lidhur me sistemet dhe formacionet, por ajo që ka rëndësi janë parimet e lojës, që janë më të rëndësishme se çdo formacion. Në vitet e fundit Interi ka luajtur mirë me këtë sistem dhe mënyrë organizimi në fushë, por ka marrë rezultate të rëndësishme për shkak të parimeve të forta të lojës. Nuk duhet t’i humbim ato. Nevojitet shumë lëvizshmëri, fluiditet dhe simetri. Në futbollin modern nuk duhet të japësh pika referimi për kundërshtarin, por të krijosh vështirësi në organizimin e tyre mbrojtës, qoftë kur të ndjekin nga afër, qoftë kur janë më pasivë. Kjo skuadër gjithmonë ka pasur parimet e saj, ne do t’i shtojmë diçka më shumë, edhe pse nuk ka qenë e lehtë, sepse kishim pak kohë para ndeshjes.

Keni punuar vetëm pesë ditë, cilat janë rreziqet para debutimit? Çfarë prisni nga kundërshtarët dhe si jeni në aspektin fizik?
Nuk duhet të mendojmë për të kaluarën, që nuk mund ta ndryshojmë. Duhet të mendojmë se po përfundojmë sezonin 2024/25 me një kompeticion shumë të rëndësishëm, që duhet ta nderojmë duke qenë versioni më i mirë i vetes. Nuk ka vend për justifikime për gjendjen fizike apo mendore. Jemi gati dhe kemi punuar këto ditë për të krijuar një skuadër me qetësi mendore, çka na lejon të japim paraqitje të mira.

Si i ke gjetur Thuram dhe Lautaro? Nuk i kemi parë që nga finalja e Mynihut, a do të jetë Marcus në stol?
Të dy janë mirë, kanë qenë 10 ditë me kombëtaren dhe i kemi lënë disa ditë pushim. Lautaro iu bashkua menjëherë ekipit në Amerikë, Marcus ka pasur disa ditë pushim, pasi ka luajtur ndeshjen e dytë me kombëtaren. Do t’i shohim në fushë gjatë këtij turneu.

Çfarë lojtarësh njeh nga Monterrey përveç Sergio Ramos?
Ramos nuk ka nevojë për prezantim, kam luajtur kundër tij. Njoh mirë trajnerin Domenec Torrent, njoh Canales dhe Ocampos, që kanë bërë gjëra të mëdha në Europë, para se të shkonin në Meksikë. Skuadra meksikane ka eksperiencë dhe identitet, luan mirë dhe meriton të jetë këtu. Ka ambicie të mëdha.

Shpesh flitet për diferenca dhe komplekse inferioriteti dhe superioriteti mes futbollit europian me atë të Amerikës së Jugut. Ti çfarë ndryshimesh ke vënë re?
Kjo është një pyetje e bukur. Futbolli europian është më i organizuar, në kontinentin tuaj jeni më të lirë dhe mbizotëron teknika. Sigurisht që argëtoheni më shumë (qesh). Të gjesh një përzierje të të dyjave do të ishte perfekte. Nuk ka shumë ndryshim, kohët e fundit Meksika dhe Amerika e Jugut po përpiqen të marrin lojtarë të fortë dhe me eksperiencë për më shumë identitet, për të bërë një hap cilësor, por talenti ka qenë dhe do të jetë gjithmonë.

Cili do të jetë çelësi i Interit për të shkuar larg në këtë Botëror për Klube?
Duhet t’i marrim ndeshjet një nag një, duke pasur përulësi. Duhet të kuptojmë se në një kompeticion të tillë, çdo ndeshje është e rëndësishme dhe e ndryshme nga të tjerat. Duhet të jemi gati, të kalojmë grupin dhe më pas të përballemi me sfida të mëdha në raundet e ardhshme. Askush nuk të dhuron asgjë, duhet të kemi dëshirë dhe ambicie. Të gjithë nisemi nga i njëjti start, duhet të bëjmë më mirë se rivalët tanë.

Nesër, a do t’iu thuash diçka lojtarëve për t’i motivuar?
Nëse ua them sot, nesër nuk do më duhet ta përsëris (qesh). Skuadra duhet të ketë ambicie dhe krenari për të hyrë në fushë dhe bërë atë që ka bërë vitet e fundit, duke fituar tituj dhe arritur dy finale Champions-i. Motivimi nuk do të mungojë, ky kompeticion është i rëndësishëm dhe ne do të jemi gati për çdo kundërshtar. Duam të japim më të mirën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit