Antonio Conte do të jetë protagonist në formatin ‘Federico Buffa Talks’, që transmetohet në ‘Sky Sport’. Në një nga parathëniet më interesante të publikuara nga televizioni, trajneri aktual i Napolit ka treguar edhe për vitin e fundit të Alessandro Del Pieros te Juventusi:
“Ai e pranoi faktin që nuk do të ishte gjithmonë titullar. Kur situata bëhej e vështirë, e aktivizoja dhe ai luante. Ishte një lojtar vendimtar në ato momente. Nëse Ale do të kishte ardhur të më kërkonte që ta vazhdonte karrierën te Juventusi, do të më kishte pëlqyer shumë t’ia zgjasja karrierën bardhezi. Ale u soll si një kampion i madh”.
Trajneri salentin, në këtë intervistë ka rrëfyer edhe gjëra të tjera jetësore: “Ka plagë të thella brenda meje. Kjo është arsyeja pse ndonjëherë nxjerr një ashpërsi që mund të të frikësojë, që të krijon ndonjëherë frikë.
Bëj gjithçka për të fituar dhe për ta festuar fitoren, gjë që në të kaluarën shumë herë nuk e kam bërë dhe jam penduar. Te Napoli e shijova, sepse sakrifikuam shumë për të arritur tek objektivi. Dhe kur e arrin titullin, duhet ta shijosh, përndryshe nuk ka kuptim gjithë ai rrugëtim dhe ato sakrifica”.
Në një tjetër pjesë të intervistës, Conte është shprehur kështu: “Kur shkova tek Arezzo, në fillim unë nuk isha trajner. Isha dikush që mendonte se ishte trajner, për faktin se kisha qenë i stërvitur nga të gjithë trajnerët e mëdhenj të asaj kohe.
Përveç Capellos, isha stërvitur nga Lippi, Sacchi, Ancelotti, Fascetti, Mazzone. Shkova tek Arezzo dhe mendoja se isha trajner për këtë arsye, por në fakt nuk isha. Mora një goditje të fortë dhe kuptova që duhej të studioja.
E falënderoj edhe Zotin që më hoqën nga puna, sepse nëse nuk do të më kishin larguar, nuk do të kisha kuptuar disa dinamika dhe nuk do të isha ulur të studioja. Ndoshta do të mbetesha Antonio Conte që mendon se është trajner, por në kokë është ende lojtar”.







