Mbrojtësi i Interit, Stefan de Vrij, foli për “Inter TV” pas barazimit ndaj Milanit, ku shënoi golin vendimtar në fund: “Ndodhi gjithçka. Goditëm 3 herë shtyllën, na anuluan 3 gola. Topi s’donte të hynte në rrjetë, por treguam forcë duke vazhduar të besonim dhe në fund e barazuam ndeshjen”.
Sonte (mbrëmë)shënove si një sulmues i vërtetë. A ka një shije të veçantë goli në derbi?
Sigurisht, është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, për skuadrën dhe tifozët. Të shënosh është gjithmonë kënaqësi, por në derbi ka një shije akoma më të veçantë. Më vjen keq që nuk fituam, e kërkuam fitoren. Kur nuk mund të fitosh, të paktën mos humb.
Mbase sekreti ishte të besonit deri në fund. Milani nuk krijoi shumë raste të rrezikshme…
Është e vërtetë, e njohim cilësinë e tyre. Janë skuadra më e fortë në kundërsulme dhe na shënuan pikërisht para pushimit. Ne besuam deri në fund, e kërkuam golin dhe e gjetëm me meritë.
Ky gol tregon cilësitë e tua dhe formën e mirë këtë sezon…
Nuk e di nëse ky gol tregon cilësitë e mia, ishte një gol tipik për një sulmues. Yann bëri një kros fantastik dhe Zalewski më dha një top shumë të mirë. Jemi një ekip i bashkuar, duhet të vazhdojmë të punojmë.
Sa e rëndësishme ishte kjo pikë? Ndoshta tregon se Interi ka një mentalitet, që pak skuadra e kanë…
Nuk e di, por dimë që jemi një skuadër e fortë. Gjithmonë duam të fitojmë dhe sot morëm vetëm një barazim. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësohemi. Do të provojmë të fitojmë çdo ndeshje.







