Zhgënjim, hidhërim dhe ndjenjë refuzimi. Një përzierje emocionesh negative goditi Gianluigi Donnarumma pas njoftimit publik të Luis Enrique se nuk është më pjesë e projektit të PSG-së. Nuk mjaftoi ngritja në qiell, madje si protagonist, e trofeut të parë të Champions League në historinë e klubit parizien, së bashku me tri kupa të tjera sezonale, që portieri italian të vazhdonte titullar në “Parce des Princes”.
Kjo për shkak se trajneri spanjoll kërkoi një “profil ndryshe”. Për këtë arsye, Lucas Chevalier mbërriti menjëherë te kampionët e Europës. Tani, i vënë “pas litarëve të ringut” dhe me vetëm një vit kontratë te PSG, Gigio duhet të gjejë një klub të ri. Sipas “Sky Sports UK”, pavarësisht krizës së hapur dhe situatës kontraktuale, parizienët e vlerësojnë atë mes 40 dhe 50 milionë euro.
Në këto momente, klubi më i favorizuar është Manchester City, që gëzon edhe preferencën e portierit axurr për destinacionin e ri. Guardiola mund ta humbasë shpejt Edersonin dhe ta zëvendësojë me kapitenin e kombëtares italiane.
Megjithatë, sipas burimit të cituar më sipër, nuk ka pasur kontakte as me Manchester City dhe as me përfaqësuesit e Donnarumma nga ana e PSG-së. Përpara se të marrë një portier të ri, Manchester City duhet të shesë të paktën një “gardian”. Me James Trafford që sapo ka mbërritur në “Etihad Stadium”, zgjedhja duket e qartë. Braziliani Ederson duhet “të hapë krahun”…







