Wayne Rooney ka rrëfyer hapur betejën e tij me alkoolin, duke pranuar se ka qenë pranë humbjes së gjithçkaje. Në një podcast me ish-shokun e Manchester United, Rio Ferdinand, Rooney pranoi:
“Kam pasur probleme të mëdha me alkoolin, shpesh pija dy ditë radhazi. Nëse nuk do të ishte gruaja ime, Coleen, sot do të isha i vdekur”.
Ish-sulmuesi i Manchester United, autor i 253 golave, tregoi se fshihej pas festave dhe alkoolit për të mbushur një boshllëk personal: “Nuk ia thashë askujt, nuk doja t’ua ngarkoja të tjerëve. Doja vetëm të dilja me miqtë, situata u bë e pakontrollueshme”.
Megjithatë, ai kurrë nuk e uli nivelin në fushë. Madje kujtoi raste kur, pas dy netësh me alkool, shkonte në stërvitje dhe në fundjavë shënonte dy gola. Për të fshehur gjurmët, përdorte pika për sytë, çamçakëz dhe dezinfektant pas rrojes. Rooney theksoi se vetëm përkrahja e Coleen e nxori nga spiralja e rrezikshme: “Ajo më ka rikthyer në rrugën e duhur. E kisha të domosdoshme”.







