E ardhmja për t’u shkruar, Lewandowski nuk shpërqendrohet: Rëndësi ka vetëm ky sezon

28 Korrik 2025
12:32
Alfred Lleshi
back button

Pas fitores ndaj Vissel Kobe, sulmuesi polak Robert Lewandowski ka folur për momentin që po kalon te Barcelona dhe të ardhmen, që sipas tij mbetet ende e paqartë. Edhe pse ka kontratë me klubin katalanas deri në qershor 2026, polaku 36-vjeçar nuk përjashton asnjë skenar.

“Nuk e di nëse ky do të jetë viti im i fundit te Barça, – deklaroi me qetësi ish-ylli i Bayern Munich. – Jam i qetë. Ajo që do të ndodhë në fund të sezonit nuk është e rëndësishme tani. Ka rëndësi ajo që mund të bëj këtë sezon. Më e rëndësishmja është ajo që kam në zemër dhe në kokë”.

I transferuar në verën e vitit 2022 nga kampionët e Gjermanisë, Lewandowski ka pasur një ndikim të madh edhe në La Liga, duke shënuar 101 gola në 147 ndeshje me fanellën e Barcelonës. Statistikë mbresëlënëse që tregon vazhdimësinë e tij edhe pas moshës 35-vjeçare.

Pavarësisht viteve, ai mbetet një figurë kyçe në dhomat e zhveshjes blaugrana dhe pikë referimi për trajnerin Hansi Flick, që e njeh mirë nga periudha e tyre së bashku në Mynih.

Lewandowski theksoi se nuk dëshiron të shpërqendrohet nga ajo që është më e rëndësishmja: sezoni aktual, i cili është vendimtar për Barcelonën, që pas dominimit në Spanjë, synon të rikthehet në majat e Europës.

Me turneun aziatik si trampolinë për sezonin e ri, “bomberi” nga Varshava është gati të udhëheqë edhe një herë ekipin, ndërsa çështja e së ardhmes do të shtyhet për më vonë.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit