“E lashë Interin sepse më mungonte familja, vdekja e babait më la një plagë të thellë”

17 Qershor 2025
7:25
Alfred Lleshi
back button

Adriano, në një intervistë të gjatë për DAZN, në dokumentarin “Familja – Jeta e një Perandori’, ka folur për karrierën e tij dhe jo vetëm: “Ishte e çuditshme për mua që më quanin ‘Perandor’. Vija nga një favela dhe pas disa vitesh më quajtën ‘Perandor’. Është normale që ky kapërcim i madh të të bëjë të reflektosh, por nëse Zoti e ka dashur kështu, nuk ka asgjë që mund të bësh”.

Për futbollin në Brazil: “Futbolli është i domosdoshëm në favela. Aty jeta është e vështirë. Fëmijët janë mësuar të shohin njerëz me armë. Sporti është i rëndësishëm për ta, që të mendojnë për diçka tjetër”.

Për kthimin në shtëpi dhe lamtumirën ndaj Interit: “U largova nga Interi dhe u ktheva në Brazil sepse më mungonte familja. Pas vdekjes së babait tim nuk kisha më kokën e duhur për të luajtur tek Interi. Është një ngjarje që më ka lënduar shumë. Zgjodha të kthehesha në Brazil, sepse nuk isha më në gjendje. Në atë gjendje do ta dëmtoja skuadrën dhe shokët e mi. Babai kishte bërë gjithçka për familjen tonë dhe kur ai nuk ishte më, mbeta unë. Si burrë, ndjeva detyrimin të ndihmoja familjen time, sepse ata kishin nevojë për mua”.

Për vështirësitë personale: “Njerëzit nuk e kuptojnë çfarë është depresioni. Duket sikur je njësoj si të gjithë të tjerët, por nuk është kështu. Çdokush ka mënyrën e vet për ta përballuar. Unë e kisha timen. Kam bërë atë që më diktuan zemra dhe mendja. Nuk më intereson çfarë mendojnë të tjerët, miqtë dhe familja ishin pranë meje në këtë zgjedhje”.

Për shokët e vjetër tek Interi: “Jam shumë i lidhur me Zanetti dhe Cordoba, tek Interi më pritën si një vëlla, ose si djalë të tyrin. Edhe Materazzi bëri të njëjtën gjë, ishte gjithmonë me mua. Janë njerëz që bënë gjithçka për të më mbajtur tek Interi. Edhe sot, kur flas me ta, më bëhet shumë qejfi”.

Për ish-shokun e skuadrës dhe trajnerin e ri të Interit, Chivu: “Është profili i duhur, i uroj gjithë të mirat. Nuk është e lehtë të menaxhosh një skuadër të madhe si Interi, i uroj të bëjë mirë. Kur vjen një trajner i ri dhe i ri në moshë, grupi e pret mirë, edhe sepse në rastin e Chivu, ai vetë ka qenë lojtar i Interit. Kur ka grup, ka gjithçka”.

Për një lojtar që i ngjan vetes: “Lojtari që më kujton më shumë mua? Nuk mund ta krahasoj veten me Ronaldon ose Ronaldinhon, sepse janë role të ndryshme, prandaj them Lukaku. Ai luan si unë. Do të kishte qenë bukur të luaja me Conten”.

Për Ancelottin si trajner i ri i Brazilit: “Ancelotti? Për ne brazilianët ishte zgjedhja e duhur, sepse nuk e kemi kulturën për të luajtur taktikisht siç duhet. Në këtë aspekt na duhej dikush si Carlo Ancelotti për të sjellë këtë lloj organizimi. Nuk po luanim siç duhet. Është e vështirë ta fitosh Botërorin nëse nuk ke një trajner që i vendos lojtarët në vendin e duhur. Janë lojtarë që nuk kanë luajtur kurrë së bashku, janë të rinj dhe sapo kanë filluar të luajnë bashkë. Duhet kohë për t’u bërë një skuadër e vërtetë, por ai, me përvojën e tij, është njeriu i duhur”.

Për të ardhmen e tij: “E ardhmja në futboll? Luaj me miqtë e mi, por nuk dua të jem pjesë e botës së futbollit. Luaj vetëm për t’i bërë njerëzit përreth meje të lumtur, dhe kjo më bën të ndihem mirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit