Sonte, në mbrëmje, në stadiumin “Elbasan Arena”, prej orës 18:00 do të startojë finalja e Kupës së Shqipërisë mes Egnatias dhe Dinamo City, një përballje që premton emocione dhe intensitet. Kjo është përballja e 28-të në histori mes dy skuadrave në fjalë, por me “peshën” më të rëndë, pasi vendos fatin e një trofeu kombëtar të shumëpritur.
Dy skuadrat janë përballur 27 herë në historinë e tyre dhe sonte do të luajnë ndeshjen e tyre të 28-të. Rrogozhinasit numërojnë 14 fitore, ndërsa dinamovitët kanë triumfuar në 4 ndeshje. 9 sfida janë mbyllur në barazim. Sa i përket golavarazhit, Egnatia ka shënuar 33 gola, ndërsa Dinamo City 16. Dinamo City ka fituar 13 trofe të Kupës së Shqipërisë, ndërsa Egnatia ka marrë pjesë në dy finale dhe i ka fituar të dyja.
Egnatia, e drejtuar nga Edlir Tetova, përjetoi sezonin më të mirë në histori, atë të kaluarin (fitoi tripletën: titullin kampion, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën e Shqipërisë), por është “top” edhe në sezonin që po i afrohet fundit, duke qenë pretendente serioze për titullin kampion në Superiore. Pas triumfit në finalen e edicionit të kaluar, rrogozhinasit synojnë ta mbrojnë kurorën e Kupës së Shqipërisë për herë të parë në historinë e tyre.

Nga ana tjetër, Dinamo City, e rikthyer fuqishëm në elitën e futbollit shqiptar, kërkon të rikthejë lavdinë e dikurshme. Me në krye trajnerin Ilir Daja, blutë janë të vendosur të thyejnë hegjemoninë e ekipeve të tjera dhe të sjellin një trofe që mungon prej vitesh në vitrinën dinamovite.
Të dyja skuadrat kanë kaluar rrugë jo të lehta për të arritur në këtë finale. Egnatia eliminoi Partizanin në gjysmëfinale me një paraqitje solide, ndërsa Dinamo City surprizoi duke lënë jashtë Vllazninë, falë një organizimi të shkëlqyer në mbrojtje dhe efikasiteti në kundërsulm.
Ndeshja pritet të jetë e ekuilibruar, me dy stile të ndryshme loje: Egnatia e bazuar në qarkullim dhe dominim, Dinamo City më pragmatike e me sulme të shpejta. Ky duel është edhe një provë force për trajnerët, të cilët kërkojnë të shkruajnë historinë me ekipet e tyre. Fitorja në finalen e Kupës së Shqipërisë jo vetëm që sjell trofeun prestigjioz, por gjithashtu siguron edhe një vend në Kupat e Europës, çka e bën sfidën edhe më vendimtare.
Për të dyja klubet, sonte nuk është thjesht një ndeshje e zakonshme, por mundësi për ta vendosur emrin e tyre në historinë e futbollit shqiptar. Ndeshja do të nisë në orën 18:00 dhe të gjithë sytë do të jenë drejt Elbasanit për të zbuluar se kush do ta ngrejë trofeun.






