Egnatia e nis me fitore në Champions League, rrogozhinasit shënojnë në frymën e fundit (video)

8 Korrik 2025
22:56
Telesport
back button

Egnatia ka nisur sot rrugëtimin në UEFA Champions League. Kampionët e Shqipërisë u përballën në “Egnatia Arena” me islandezët e Breidablik, ku fituan 1-0 në fund. Atmosfera në stadium ishte fantastike, me tifozët vendas që kishin mbushur shkallët për të mbështetur ekipin drejt një rezultati pozitiv.

Rrogozhinasit e nisën keq takimin pasi humbën një titullar që në minutat e para, Edison Ndreca u largua për shkak dëmtimi dhe në vend të tij u fut blerja e re Anio Poçi. Në minutën e 18-të, Egnatia pati një shans shumë të mirë për të gjetur golin, por fillimisht Regi Lushkja dhe më pas Kastriot Selmani nuk u treguan të saktë. Pjesa e parë edhe pse u dominua nga të besuarit e Edlir Tetovës u mbyll në barazim pa gola.

Fillimi i pjesës së dytë foli sërish për rrogozhinasit, të cilët shpërdoruan disa raste me Bakayoko, duke mos arritur dot t’i konkretizonin me gol. Në minutën e 74-të, Poçi i afrohet shumë golit, por goditja e tij e fortë ndalet nga traversa.

Mundi i rrogozhinasve do të shpërblehej në minutat shtesë, ku gjetën golin me blerjen e re, Ildi Gruda. Shkodrani pasi mori një top të gjatë nga mbrojtja, e dërgoi atë në rrjetë, duke ngritur “peshë” gjithë stadiumin. Egnatia fiton 1-0 dhe shkon me avantazhin e një goli në ndeshjen e kthimit, pas një jave në Islandë.

SHIKOGOLIN

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit