Torino nuk e ka nisur aspak mirë këtë sezon, pasi gjendet në vendin e 16-të me vetëm 5 pikë pas gjashtë javësh. Për të mos rrezikuar rënien nga kategoria, Torino është gati të bëjë një goditje të bujshme në merkaton e janarit.
“La Stampa” raporton se Torino ka nisur kontaktet me Galatasaray-in për një rikthim të mundshëm të Mauro Icardit në Serie A. Rikthimi i argjentinasit në Itali është mëse i mundshëm, pasi me klubin turk i mbaron kontrata në fund të këtij sezoni dhe vështirë se mund të ketë një rinovim.
Problem është paga që lojtari fiton në Stamboll, plot 6 milionë euro në sezon, gjë që mund të vërë në vështirësi financat e një klubi si Torino. Sipas raportimit në fjalë, burime pranë lojtarit bëjnë me dije ai është entuziast për një rikthim në Serie A, por ende nuk dihet nëse do pranojë ofertën e Torinos apo jo.







