“Euro 2020” nis të marrë formë. 6 të kualifikuar, 14 të eliminuar. Ja shanset e Kosovës dhe Shqipërisë

16 Tetor 2019
12:13
Alfred Lleshi
back button

“Euro 2020” tashmë ka mësuar 6 kombëtaret e para të kualifikuara, nga 24 finalistë të këtij turneu. Ukraina (Grupi B), Spanja (F), Polonia (G), Belgjika dhe Rusia (I) dhe Italia (J) janë të parët që e sigurojnë praninë e tyre në shortin që do të hidhet më 30 nëntor në Bukuresht. Italia dhe Ukraina, gjithashtu, janë konfirmuar si udhëheqëse të grupeve të tyre. Janë edhe nëntë kombëtare, që varen nga vetvetja për t’u kualifikuar matematikisht në ndeshjen e parafundit të kësaj fushate eliminatoresh. Republika Çeke (Grupi A), Suedia (F), Franca (H) dhe Finlanda (J) duhet të mposhtin Kosovën, Rumaninë, Moldavinë dhe Lihtenshtejnin. Anglia (A), Hollanda (C), Kroacia (E), Austria (G) dhe Turqia (H) thjesht duhet të barazojnë kundër Malit të Zi, Irlandës së Veriut, Sllovakisë, Maqedonisë së Veriut dhe Islandës për të shkuar në “Euro 2020”.

Katër kombëtare të tjera mund ta presin “biletën” para ndeshjes së fundit…, por ato varen nga palë të treta. Portugalia, kampione e Europës në fuqi dhe e Ligës së Kombeve, duhet të fitojë ndaj Lituanisë dhe Serbia të mos e mposhtë Luksemburgun. Gjermania ka nevojë për të mposhtur Bjellorusinë dhe Irlanda e Veriut të mos fitojë me Holandën. Nga ana e saj, Danimarka duhet të mposhtë Gjibraltarin dhe të presë një humbje të Zvicrës në Gjeorgji. “Nati” ka nevojë për të kundërtën. Opsione matematikore kanë akoma, në një masë më të madhe apo më të vogël, 13 kombëtare të tjera: Kosova, Serbia, Irlanda e Veriut, Zvicra, Hungaria, Uellsi, Rumania, Norvegjia, Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Islanda, Bosnje-Hercegovina, Izraeli dhe Armenia.

Uellsi i Gareth Bale tashmë e di, për shembull, se nuk mund të humbasë me Azerbajxhanin. Përndryshe, do t’i thotë lamtumirë matematikisht “Euro 2020”. Në “polin” e kundërt janë 14 kombëtare të tjera: Mali i Zi, Qipro, Estonia, Shqipëria, Lituania, Kazakistani, Moldavia, Gjibraltari, Ishujt Faroe, Letonia, Lihtenshtajni, Andorra, Malta dhe San Marino, që nuk kanë mundësi të kualifikohen në rrugën tradicionale, por shpresojnë te “play-off”-i, ose Liga e Kombeve. Në njëlloj rrëmuje janë Skocia, Gjeorgjia dhe Bjellorusia. Me dy ndeshje të mbetura për t’u luajtur në këtë fushatë eliminatoresh, ato nuk kualifikohen dot përmes këtyre kualifikueseve, por kanë në dorë kartën e “play-off”-it përmes Ligës së Kombeve. 

Një kartë, që gjithashtu mund t’iu shërbejë kombëtareve të tilla si Portugalia, Hollanda, Anglia, Zvicra, Bosnje-Hercegovina, Danimarka, Suedia, Austria, Norvegjia, Serbia, Finlanda, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Duhet pasur parasysh se katër kombëtaret e fundit në “Euro 2020” do të kualifikohen përmes “play-off”-it të Ligës së Kombeve, që do të luhet në mars 2020. Ay do të dalin katër kombëtaret më të mira për secilin nga katër grupet, që do ta sigurojnë “biletën” e Europianit jo përmes mënyrës tradicionale.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit