Europiani U-21, ja shorti për kombëtaren e trajnerit Alban Bushi

2 Shkurt 2023
11:03
Telesport
back button

Në Nion të Zvicrës është hedhur sot shorti i Kampionatit Europian 2025 për kombëtaren U-21 në futboll. Shorti ka vendosur kombëtaren e trajnerit Alban Bushi në Grupin E, së bashku me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë.

Sipas kalendarit të UEFA-s, ndeshjen e fazës kualifikuese të Europianit U-21 do të nisin në datën 20 mars 2023 dhe do të përmbyllen më 15 tetor të 2024-s. Kujtojmë që dy kokat e grupit janë Rumania dhe Zvicra, dy skuadra që do të luajnë edhe në finalet e Europianit 2023, që zhvillohet në muajt qershor-korrik të këtij viti.

Sipas FSHF-së, duke parë përbërjen e grupit, Shqipëria U-21 e drejtuar nga trajneri Alban Bushi do të synojë të kualifikohet për herë të parë në fazën finale të turneut, që do të luhet në vitin 2025 në Sllovaki. Në eliminatoret e këtij turneu marrin pjesë 53 vende të ndara në 7 grupe me nga 6 skuadra dhe 2 grupe me nga 5 të tilla.

Sipas renditjes së UEFA-s, Shqipëria U-21 ishte e pozicionuar në vendin e 36-të. Nëntë skuadrat e renditura në vendet e para të grupeve në përfundim të fazës kualifikuese së bashku me tre vendet e dyta më të mira do të kalojnë direkt për në fazën finale të turneut.

Ndërsa gjashtë vendet e tjera të dyta do të përballen në fazën play-off për të siguruar edhe tre biletat e fundit për finalen e turneut. Ndeshjet e fazës play-off do të luhen në datat 11-19 nëntor 2024.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit