Konflikti në Lindjen e Mesme i shkaktuar nga sulmi i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit ka pasur edhe pasoja sportive. Hakmarrja iraniane kundër vendeve të tjera ka çuar në një përshkallëzim rajonal të luftës, duke kërcënuar stabilitetin e të gjithë rajonit.
Ndër vendet e përfshira është Katari, i cili ka pezulluar të gjitha aktivitetet e futbollit pas raketave të lëshuara drejt Dohas. Vendimi i autoriteteve të Katarit pritet të shtrihet edhe në sportet motorike, si Formula 1 e MotoGP, të cilat kanë shumë gara të mëdha të planifikuara për në fillim të pranverës.
Çështja kryesore nuk është vetëm siguria e pilotëve, publikut dhe të gjithë anëtarëve të ekipit dhe Federatës, por edhe ajo logjistike. Transportimi i materialeve në Gadishullin Arabik është pothuajse i pamundur: shumica e vendeve të Lindjes së Mesme kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore.
Madje edhe udhëtimi vetëm në Australi i ka detyruar ekipet e Formula 1 të riplanifikojnë fluturimet. Për momentin, FIA, nëpërmjet presidentit Mohammed Ben Sulayem, është kufizuar në shprehjen e keqardhjes për tensionet gjeopolitike, duke shprehur shpresën për një kthim të shpejtë të stabilitetit.
Ben Sulaymen theksoi: “Siguria dhe mirëqenia do të udhëheqin vendimet tona kur vlerësojmë ngjarjet e ardhshme të planifikuara për WEC dhe Formula 1, që nis këtë fundjavë“. Pas garës në Australi, Kinë dhe Japoni, kalendari tani përfshin garat e Sakhir (12 prill) dhe Jeddah (19 prill).







