Me fitoren dramatike kundër Barcelonës, Interi siguroi finalen e shtatë në historinë e vet në Champions League. E para, kur ende quhej Kupa e Kampionëve, daton në vitin 1964, e mbyllur me fitoren 3-1 në Vjenë kundër Real Madridit të madh me Di Stefano, Puskas dhe Gento. Asokohe ishte skuadra zikaltër e Facchetti, Picchi, Corso, Suarez dhe Mazzola, e drejtuar nga Helenio Herrera.
Një vit më vonë do të vinte suksesi i dytë, në finalen e luajtur në “San Siro” kundër Benfica, me fitoren 1-0 falë golit të Jair, i cili ka ndërruar jetë së fundmi.
Dy sezone më pas, një tjetër finale, këtë herë në Lisbonë kundër Celtic, që Interi e humbi 2-1, duke mbyllur kështu një cikël të jashtëzakonshëm.
Në vitin 1972, Interi i Invernizzi, me disa nga protagonistët e viteve ‘60 dhe bomberin e madh Boninsegna, do të rikthehej në finalen e Rotterdamit, por do të mposhtej nga Ajax-i me dy gola të Johan Cruijff.
Për të parë sërish Interin në një finale Champions-i duheshin pritur 38 vite. Triumfi erdhi vitin e tripletës legjendare 2010, ku dy golat e Militos në “Bernabeu”, kundër Bayern Munich, i dhanë skuadrës së Mourinhos majën e Europës.
13 vite më pas, më 2023, skuadra e Simone Inzaghit luajti një tjetër finale në Stamboll kundër Manchester City të Guardiolës, por e humbi 1-0, falë golit të Rodrit në pjesën e dytë. Një ndeshje që Interi e zhvilloi në nivel të lartë.
Bilanci aktual: 3 finale të fituara (1964, 1965, 2010) dhe 3 të humbura (1967, 1972, 2023). Finalja e Mynihut, më 31 maj, do të jetë ajo që do të bëjë diferencën në bilancin e zikaltërve në këtë kompeticion.







