Flamurtari, pikët e vjetshme, hallet e vjetra dhe penalltia që nuk vjen kurrë

27 Dhjetor 2018
11:07
back button

Flamurtari e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit në vendin e gjashtë në renditje, në pamje të parë një pozicion negativ po të krahasohet me vendin e dytë të një viti më parë. Megjithatë, një analizë paksa më e detajuar evidenton diçka interesante: Flamurtari është thuajse ai i sezonit të shkuar dhe ajo që bie më shumë në sy është se kreu i tabelës është sërish 9 pikë larg, ashtu si para një viti.

Vjet ishte Flamurtari i Shpëtim Duros, i ndërtuar me shumë mund, nga zero, një skuadër cinike dhe mjaft solide, me mbrojtjen më të mirë në Superiore, vetëm 10 gola në 16 ndeshjet e para të kampionatit, ndërsa sulmi shënonte më shumë se tani, 18 gola në 16 ndeshje.

Megjithatë, ngjashmëritë me Flamurtarin aktual janë impresionuese. Ilir Daja e ndërtoi skuadrën thuajse nga e para në verë, me jo pak probleme, ndërsa ka grumbulluar 28 pikë në pjesën e parë të sezonit, aq sa Flamurtari i Duros, por me ndryshimin se kuqezinjtë këtë vit kanë luajtur dy ndeshje më shumë para ndërprerjes për festat e fundvitit.

Me 12 gola të pësuar, Flamurtari është sërish një skuadër e kompletuar në aspektin mbrojtës dhe do të ishte edhe më mirë, nëse këtë sezon nuk do të vuante shpesh mungesat e shumta në repartin e mbrojtjes. Sulmi është problem, sepse 15 gola janë shumë pak, por këtu Daja nuk ka shumë faj, sepse Torassa e Danilo Alves u bashkuan me shumë vonesë me ekipin dhe ishin jashtë forme, ndërsa Elton Cale u bllokua për disa muaj nga një situatë absurde me Kukësin, derisa Sinan Idrizi vendosi të paguante për ta liruar.

Flamurtari i Duros ishte më solid, por më llogaritar, siç e tregojnë 7 barazimet në 16 ndeshje, ndërsa ky i Dajës është më direkt, me shumë fitore (8) e plot 6 humbje, shumë krahasuar me 2 humbje vjet në këtë kohë, por nga ana tjetër Daja nuk luan për barazime dhe kjo i ka dhënë jo pak pikë.

PAGAT – Nëse ngjashmëritë në fushë janë të mëdha, edhe jashtë saj gjithçka duket një deja-vu Vjet në këtë kohë lojtarët ishin në ankth për pagat, sepse nuk u paguan për disa muaj rresht, por në fund të vitit Sinan Idrizi i pagoi të gjithë, duke përfshirë interesat, një lëvizje pa precedent në Shqipëri. Tani situata është e njëjtë dhe Idrizi po mundohet t'i mbajë lojtarët të qetë, në pritje që të zgjidhet gjithçka, sepse paratë janë në Turqi dhe futja e tyre në Shqipëri nuk është e thjeshtë, po të merret parasysh fakti që Idrizi dhe investitorët turq janë ende në rolin e bamirësit, donatorit, me privatizimin e famshëm që nuk po duket gjëkundi. 

Tani lojtarët janë në pritje, kanë marrë një pagesë të vogël për festa dhe në janar shpresojnë të likuidohen. Dje Daja u takua me Idrizin dhe pikërisht ana financiare e shqetëson shumë trajnerin, i cili këtë sezon ka punuar nën stres konstant dhe tashmë rrezikon të humbasë disa titullarë. Ky është problemi kryesor, edhe pse Idrizi kaa premtuar disa përforcime serioze.

 PIKËT E LËNA DHE PENALLTIA QE NUK VJEN KURRË – Ndoshta një vit më parë Shpëtim Duro do të kishte nja 10 pikë më shumë, nëse gjykimet do ishin normale. Në Vlorë i mbajnë mend mirë arbitrimet skandaloze në disa ndeshje, aq sa situata u bë e padurueshme dhe futbollistët më shumë kishin mendjen tek arbitri, sesa kundërshtari. Penalltitë kundër vërshonin, edhe kur ishin faulle jashtë zone, ndërsa penalltitë në favor ishin si uji në shkretëtirë. 

Ndryshimi këtë vit? Penalltitë kundër janë më të pakta, arbitrat kanë qenë në përgjithësi më neutralë dhe lufta me FSHF-në është zbehur dukshëm. Megjithatë, nëse je "i njerkës", i saj mbetesh përgjithmonë dhe duket se këtë arbitrat nuk e harrojnë. Asnjë penallti për Flamurtarin këtë sezon, edhe pse rastet nuk kanë munguar, ndonjëherë edhe flagrante, pa harruar golat e anuluar në mënyrë të çuditshme e gabime të tjera që në Vlorë i konsiderojnë aspak të rastësishme.

Penalltia e fundit për Flamurtarin është dhënë në mars të këtij viti, në Vlorë janë gati të vendosin bast (mos ia thoni kryeministrit) që penalltia e radhës do vijë ndoshta prillin apo majin e ardhshëm, kur kampionati të ketë marrë fund.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit