Flamurtari si “autoshkollë”, emëron trajnerin e katërt të sezonit

6 Janar 2020
9:50
Alfred Lleshi
back button

Flamurtari do t’i besohet trajnerit të radhës, i cili është brazilian dhe jo i panjohur në futbollin shqiptar. Marcelo Troisi do të jetë i katërti në këtë sezon, që ulet në stolin e kuqezinjve, duke i shndërruar bregdetarët në njëlloj “autoshkolle”… Nga Gert Haxhiu, që u tërhoq një ditë para startit të kampionatit deri te Troisi janë disa emra (edhe Dritan Sadedini e Luan Birçe), që nuk kanë “qullosur” dot asgjë te Flamurtari, i cili ka 6 pikë në 17 ndeshje dhe mbyll klasifikimin aktual të Superiores. Thënë ndryshe, bashkë me Luftëtarin, e kanë marrë rrugën e një kategorie më poshtë. 

43-vjeçari brazilian ka drejtuar më parë Kukësin dhe Laçin në futbollin tonë, por pa pasur ndonjë sukses të dukshëm. Ai vjen nga Greqia, ku së fundi ka drejtuar skuadrën e kategorisë së katërt, GAS Ialisos. Kjo eksperiencë zgjati vetëm 20 ditë për Troisi, sepse humbi tri ndeshje radhazi dhe u shkarkua. Më herët, në tokën helene ka punuar edhe te Kalithea, Apollon Larisa dhe Iraklis.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit