Në një botë ku shpeshherë sporti reduktohet në statistika, fitore apo humbje, ekzistojnë disa emra që e frymëzojnë këtë sport përtej rezultatit. Francesco Acerbi është një prej tyre. Jo sepse ka qenë gjithmonë titullar, as sepse është mbrojtësi më teknik në Itali, por sepse është dëshmia e gjallë që futbolli, ashtu si jeta, është një luftë e përditshme ku vetëm zemrat më të forta mbijetojnë.
Në vitin 2013, karriera dhe jeta e tij u ndal për një moment. Diagnoza ishte tronditëse: tumor testikular. Një fjalë që të rrëzon në tokë, që të fik shpirtin. Në një kohë kur të gjithë flisnin për debutimin e tij te Milani dhe të ardhmen në kombëtaren axurre, fati e tërhoqi në një drejtim tjetër, më të errët, më të frikshëm.
E kishte kaluar një herë më parë, por tumori u rikthye. Bashkë me të, frika, pasiguria dhe, për një moment, edhe errësira. Por Acerbi nuk pranoi ta mbyllte historinë aty. U rikthye në fushë, më i fortë, më i vendosur, më shumë njeri. E fitoi betejën me sëmundjen dy herë, njësoj siç fiton duelet në mbrojtje, me kokë lart, pa panik, me zemër.
Gjatë rikuperimit, pati raste kur nuk mund të vraponte më shumë se disa hapa pa u lodhur. Kishte humbur peshë, forcë, shpresë, por asnjëherë besimin. “Do të kthehem më i fortë”, – u kishte thënë të gjithëve. Dhe ashtu ndodhi. U rikthye, jo vetëm si lojtar, por si shembull për çdo njeri që mendon se ka ardhur fundi. Për çdo të sëmurë që pret një shpresë. Për çdo djalosh që ka frikë të përballet me të panjohurën.
Në vitet që pasuan, Acerbi nuk ndaloi kurrë së luftuari, në fushë dhe jashtë saj. Nga Sassuolo te Lazio, më pas tek Interi, ai u bë sinonim i forcës, i qëndrueshmërisë, i njeriut që e ka parë vdekjen në sy dhe ka zgjedhur të jetojë më shumë se kurrë.

Dhe erdhi momenti i artë: goli ndaj Barcelonës, në një natë që të gjithë zikaltërit do ta kujtojnë përjetë. Një mbrojtës që shënon në një gjysmëfinale të Champions League nuk është diçka e zakonshme. Por kur ai mbrojtës quhet Francesco Acerbi, ai gol nuk është thjesht sport. Është një himn për jetën. Është një mesazh për të gjithë ata që po vuajnë, që janë të rraskapitur, që janë lodhur duke luftuar: Mos u dorëzoni!
Ndërsa topi prekte rrjetën e Barcelonës, miliona tifozë brohorisnin për Interin. Paralelisht, në një dhomë spitali, një pacient buzëqeshi për herë të parë pas ditësh. Sepse e pa tek Acerbi diçka që i dha shpresë. Sepse për të, ai gol ishte më shumë se një tundje rrjete. Ishte dëshmia se edhe pas dimrit më të ftohtë, vjen pranvera.
Në finalen e madhe që i pret zikaltrit në Mynih, ata nuk do të kenë vetëm një mbrojtës në fushë. Do të kenë një luftëtar që ka fituar betejën më të madhe që jeta mund t’i sjellë një njeriu. Dhe kur e ke Acerbin në skuadër, nuk je duke luftuar vetëm për një trofe. Je duke luftuar për një simbol. Për një njeri që i tregoi botës se nuk ka sëmundje që mund të ndalë shpirtin e një luftëtari.
Sepse në këtë Inter, ashtu si në zemrën e Acerbit, fjalët “jam dorëzuar” nuk kanë kurrë vend. Nga dhimbja te triumfi, nga errësira te drita, historia e Acerbit është referencë frymëzuese për ata që nuk dorëzohen kurrë.







