Frattesi: Tek Interi, secili ka një histori që peshon. Disa janë të destinuar për diçka të madhe

22 Maj 2025
8:27
Alfred Lleshi
back button

Davide Frattesi, mesfushori i Interit, ka dhënë këtë intervistë për kanalet e UEFA-s, me fokus finalen e Champions League kundër PSG, që do të luhet më 31 maj në “Allianz Arena”.

Për golin kundër Barcelonës: “Pas ndeshjes, kur më pyetën pse gjithmonë unë, u përgjigja se kjo është ajo që tregon rruga ime. Nuk është se Zoti më ka vendosur dorën mbi kokë dhe më ka thënë ‘do jesh më i talentuari nga të gjithë’, por më ka thënë ‘cilësinë më të madhe do kesh mentalitetin’. Përveç trupit, për të cilin duhet të falënderoj mamin dhe babin, është mentaliteti ai që më dallon. Mamaja gjithmonë më ka thënë: fiksimi e mund talentin”.

Për golin në Mynih: “Isha pak i trishtuar, sepse pak kohë më parë më kishte ndërruar jetë gjyshja. Nuk e shijova siç duhet atë moment. Ajo ishte personi më i rëndësishëm në jetën time, nuk e kuptova menjëherë se çfarë ndodhi. Në moshën 80-vjeçare kishte një gëzim dhe forcë të jashtëzakonshme. Goli në Mynih dhe ai ndaj Barcelonës janë dy situata të ndryshme, por kanë rëndësi se na shtynë drejt finales së madhe”.

Për ëndrrën e Champions-it: “Midis ëndrrës dhe realitetit ka një det të tërë për t’u kaluar, por do të bëjmë gjithçka për të triumfuar më 31 maj. Ende nuk e kam kuptuar mirë çfarë do të thotë kjo finale, ndoshta do ta kuptoj kur të zbresim në Mynih dhe të dëgjojmë atë muzikën e famshme të Champions-it. Është diçka e jashtëzakonshme dhe e meritojmë. Secili prej nesh ka një histori të ndryshme, por që peshon shumë. Ka njerëz që janë të destinuar për diçka të madhe”.

Për atë që e tremb te PSG: “Forca e tyre është e gjithë skuadra. Kanë lojtarë të nivelit më të lartë ndërkombëtar, nuk kanë nevojë për prezantime. Sidoqoftë, më shumë se të fokusohemi tek ata, te cilësitë apo dobësitë e tyre, duhet të fokusohemi te vetja. Sepse kemi treguar që, kur jemi të përqendruar, ndoshta nuk fitojmë gjithmonë, por mund të përballemi denjësisht me cilindo”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit