Federata Shqiptare e Futbollit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi me synimin për të siguruar një futboll gjithëpërfshirës, ku respektohen të drejtat e njeriut dhe shërben si mundësi për të rritur edukimin në shoqëri.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku të pranishëm ishin Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit, Ilir Shulku dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda.
Në fjalën e rastit, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku nënvizoi rëndësinë e këtij nënshkrimi për të krijuar një mjedis të sigurtë dhe gjithëpërfshirës në futboll.
“Sot lidhëm një marrëveshje mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, e cila ka për qëllim realizimin e përbashkët dhe të koordinuar për respektimin, forcimin dhe avancimin e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, në lidhje me çështjet sportive dhe jo vetëm, rritjen e bashkëpunimeve për iniciativa të përbashkëta” – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i FSHF.
“Kjo marrëveshje synon të krijojë një qasje të koordinuar, të bazuar në edukim, masa ligjore, përfshirje komunitare dhe partneritete ndërkombëtare, për të garantuar një mjedis të sigurtë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pjesëmarrësit në fushën e futbollit” – vazhdoi ai.
“Ne duam të krijojmë një mjedis pa diskriminim dhe gjuhë urrejtje në futbollin shqiptar, duke ndërgjegjësuar, edukuar dhe ndëshkuar çdo formë sjelljeje që bien ndesh me vlerat e barazisë, respektit dhe të drejtave të njeriut” theksoi Shulku.
“Me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi do të bashkëpunojmë dhe marrim pjesë në hartimin e ndryshimeve ligjore të nevojshme për fushat me interes të përbashkët” – përfundoi Ilir Shulku.





