Luftëtari amerikan Justin Gaethje është kampioni i ri i botës në peshën “lightweight” (pesha deri 70kg) në artet marciale mikse. Në eventin “UFC White House” ai mundi me KO teknik rivalin gjeorgjian Ilia Topuria.
Në këtë event jubilar, me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së Amerikës (njihej edhe si eventi UFC Freedom 250) zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, ai arriti të triumfojë në përfundim të raundit të katërt (stafi i Topuria vendosi që ai të tërhiqej).
Gaethje, që dy herë kishte dështuar të bëhej kampion i këtij Divizioni dhe dy herë mbante titullin e përkohshëm, këtë herë ia doli mbanë. Për Gaethje, kjo është fitorja e 28-të në karrierë, ku numëron edhe 5 humbje.
Ndërsa për Topuria, kjo është disfata e partë në karrierën e tij (ka edhe 17 fitore). Edhe pse u përpoq shumë, nuk arriti dot të përballojë ritmin e Gaethje, që falë goditjeve të fuqishme dëmtoi keqazi në fytyrë rivalin gjeorgjian.
Po në këtë event, francezi Cyril Gane mundi me KO teknik në raundin e dytë brazilianin Alex Pereira, duke u bërë kampion i përkohshëm i botës në peshën e rëndë. Ky event u zhvillua në 80-vjetorin e ditëlindjes së presidentit Donald Trump.








