Gega: Derbi mbetet derbi në çdo situatë dhe kohë, jemi rivalë të përjetshëm

7 Prill 2025
12:04
Alfred Lleshi
back button

Sonte, prej orës 20:00, në “Arena Kombëtare” do të startojë derbi i katërt dhe i fundit sezonal për këtë kampionat mes Tiranës dhe Partizanit. Tri ballafaqimet e mëparshme kanë përfunduar në barazim, ndërsa sonte është sit ë thuash “jetë a vdekje” për të dyja skuadrat, edhe pse me qasje të ndryshme.

Kështu, Tirana ka nevojë jetike për pikë, që të mbijetojë në Superiore, tejet e rrezikuar, aktualisht e fundit me 32 pikë. Nga ana tjetër, Partizani Lufton për “final four”, duke mbajtur vendin e katërt aktualisht, me 47 pikë, por matematikisht i arritshëm nga Elbasani. Duke bërë prognozën e kësaj përballjeje, shumë të pritur nga tifozët e të dy skuadrave, por jo vetëm, trajneri i të kuqve, Skënder Gega, u shpreh:

Si e prisni derbin ndaj Tiranës?
Secili ka patur vështirësi në klubet e veta, edhe ne kemi problemet tona. Në pak ditë kemi 3 ndeshje. Dy ndeshjet e para i kemi kaluar me sukses, por kemi harxhuar energji. Në të njëjtën kohë na kanë bërë mirë, sepse po ingranohemi dhe angazhohemi ashtu si duhet me kërkesat që kemi. Derbi mbetet derbi në çdo situatë dhe në çdo kohë, pavarësisht klasifikimit të ekipeve. Ne jemi rivalë të përjetshëm. Mua si trajner, por dhe si ish-futbollist më takon të flas me respekt për historinë e Tiranës, sepse një pjesë prej tyre i kam shokë, miq kemi përfaqësuar Shqipërinë bashkë. Në këtë aspekt ka vlera kjo ndeshje. Pikët janë të domosdoshme për ne, pasi jemi në një pozicion që duhet vërtet të bëjmë mirë. Për 90 minuta jemi rivalë, për 90 minuta secili kërkon suksesin. Nuk është e lehtë, nuk mund të them çfarë do të ndodhë, por do të hyjmë me besim për objektivat tona.

Çfarë “magjie” keni përdorur që e ndryshuat Partizanin brenda pak ditësh?
Në çdo vend që shkon, trajneri mundohet të bëjë më të mirën, ky është profesioni. Këtu ka një dozë dashamirësie dhe mikpritje, kjo të bën që të japësh edhe rezervat që ke, sepse çdo gjë e ke nga kontributet aty ku je rritur. Nga klubi jam pritur shumë mirë,  kjo më ka bërë që në çdo gjë të ndihem komod. Me futbollistët po njihemi dhe kuptohemi më mirë çdo ditë. Jam shumë i kënaqur, do doja të isha përgjithmonë, do doja të isha për shumë kohë, por i tillë është futbolli, të tilla janë planet e çdo klubi. Sot jam këtu dhe dua të shikoj vetëm përpara, nuk kam qejf t’i kthej mbrapsh gjërat.

Ndoshta nuk do ta kishit dashur Tiranën në këtë pozicion të renditjes…
Nuk jemi ne që i caktojmë ecuritë e kundërshtareve apo rivalëve. Historikisht, në çdo pozicion që është Tirana apo Partizani, kjo ndeshje është ndër më të rëndësishmet e Kategorisë Superiore, pavarësisht klasifikimit. Eshtë ndeshje për qytetin, për dy tifozeritë, që kanë shansin e tyre t’i mbështesin në mënyrën më të zjarrtë ekipet e zemrës. Çdo gjë është pozitive. Eshtë një ditë që të jep adrenalinë. Po ta kuptojnë lojtarët që drejtoj unë se çfarë klubi përfaqësojnë dhe çfarë mbështetje kanë do të japin më tepër. Çdo gjë po shkon mirë deri tani.

Cila është gjendja e skuadrës, dihet se Bytyçi do të mungojë për efekt kartonësh?
Pjesa tjetër e skuadrës po mundohet të punojë shumë mirë. Jemi munduar që lojtarët që kanë superngarkesë, siç është Bintosuka, por edhe të tjerët që kanë ardhur me vonesë, të rikuperohen në maksimum. Akoma deri tani nuk kemi vendosur për formacionin. Eshtë një grup shumë serioz, por i ri lojtarësh, që ka nevojë për mbështetje, për fjalën e mirë, për t’i dhënë besim. Jemi munduar që secilit t’i trasmetoj besimin se është pjesë e rëndësishme e ekipit dhe klubit. Përsa i përket gjendjes së skuadrës, është fundi i kampionatit dhe normalisht ndeshjet e ngjeshura kanë bërë që të rëndohen këmbët e futbollistëve. Pavarësisht se nuk janë të gjithë në një ‘prerje’, do mundohemi t’i aktivizojmë në pozicionin e duhur, t’i nxjerrim nga loja në momentin e duhur, sepse kemi edhe të tjerë rezerva. Çdo njeri ka një marrëveshje me këtë klub. Sikur edhe 3 sekonda lojë t’i kërkohen duhet të tregojë respekt, sepse kështu funksionon.

A do të shohim një Partizan agresiv për të fituar derbin dhe kënaqur tifozët?
Nuk luhet futboll pa pasion dhe pa agresivitet. Agresiviteti nuk është privilegj që i jepet klubit, e ke për detyrë të jesh agresiv në futboll. Mënyra si do të luajmë ne, si do të vendosemi në fushë ka për qëllim të japim gjithçka. Nganjëherë derbi i bën lojtarët emocionalë, por duhet të jemi të vëmendshëm, të bëjnë gjithmonë ato që kemi punuar gjatë këtyre ditëve në stërvitje. Jam i kënaqur me mënyrën si po përgjigjen, nga minuta e parë e deri kur të bjerë bilbili I fundit duhet të jemi të qetë, të luajmë pa presion. Të mendosh që të mos jesh agresiv në derbi është e papranueshme. Në çdo ndeshje duhet të jesh agresiv, por adrenalina e derbit ta shton dozën e forcës. Gjithsesi, duhet ruajtur “fair-play” në 90 minuta, të fokusohemi te puna jonë në fushë dhe jo çfarë ndodh rreth e rrotull.

Tri ndeshjet e para derbi të këtij kampionati janë mbyllur në barazim…
Ne do të hyjmë në fushë për maksimumin. Maksimumi në futboll dihet, ka 3 pikë dhe 1 pikë. Të jem i sinqertë nuk jam natyrë që parashikoj. Nëse kanë dalë 3 ndeshjet pararendëse barazim, janë të pranueshëm në derbi. Mbetet të shikojmë, nuk e di nëse do të jetë barazimi i katërt për këtë sezon, por do të futemi për të marrë maksimumin.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit