Gnonto, klubi refuzon grumbullimin: “fajin” e ka Mancini

19 Qershor 2022
16:15
Denis Hakanaj

Ancilio Canepa, presidenti i Zyrihut nuk është dakord dhe i ka thënë “jo” grumbullimit të Wilfried Willy Gnonto për Europianin U19 me Italinë.

Numri një i klubit zviceran duket se është zemëruar shumë për aktivizimin e sulmuesit të ri italian në katër ndeshjet e Nations League të luajtura nga Italia dhe e ka shpjeguar kështu refuzimin për grumbullimin e lojtarit me kombëtaren U19 axurre:

“Federata është e papërgjegjshme. Wilfried i ka kaluar javët e fundit me kombëtaren e parë, me të cilën ka luajtur në të katër ndeshjet e Nations League. Tani duhet të pushojë”.

Siç ka bërë të ditur e përditshmja zvicerane Blick, presidenti i Zyrihut ka folur më pas për merkaton duke larguar mundësinë e një largimit të sulmuesit:

“Gnonto do të shitet dhe kjo është arsyeja pse kemi refuzuar grumbullimin e tij për Europianin U19? Aspak, kemi ndërhyrë vetëm për ta mbrojtur”.

Domethënë, në Zvicër duan të kujdesen për futbollistin e ri pas ndeshjeve të vështira që ka luajtur me Mancini-n për Italinë e të mëdhenjve. Objektivi i Zyrihut është ta ketë në formë për sezonin e ardhshëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit