I kërkuam Inteligjencës Artificiale të llogarisë sa vlen Dumfries, rezultati është befasues

3 Maj 2025
8:23
Alfred Lleshi
back button

Sa vlen Denzel Dumfries? Anësori i momentit, ndryshuesi i lojës për Interin. Sa kushton “hollandezi fluturues” i Simone Inzaghit? Vlera absolute e një futbollisti mbetet gjithmonë e pamundur për t’u përcaktuar saktësisht. Ajo varet nga tregu, nga nevojat e atij që shet dhe atij që blen. Nga forma, gjendja fizike dhe mijëra faktorë të tjerë. Megjithatë, kemi provuar t’i kërkojmë ndihmë Inteligjencës Artificiale të Twitter-it, Grok. Dhe nuk jemi ndalur vetëm te një pyetje e thjeshtë, por kemi shkuar më thellë me një “kërkim të avancuar”. Rezultati është befasues.

Metoda e përdorur
Për këtë analizë janë përdorur të dhëna nga platforma si “Transfermarkt”, “Fotmob” dhe “Football Transfers”, të cilat ofrojnë vlerësime të tregut bazuar në paraqitje, moshë, kontratë dhe interesin e klubeve të tjera. Vlerat janë të përditësuara deri në mars 2025, me disa variacione të mundshme në maj 2025. Është marrë në konsideratë roli i mbrojtësit të djathtë, ose anësorit të djathtë, duke përfshirë lojtarë që mund të përshtaten në këto pozita.

Profili i analizuar
Denzel Dumfries, 29 vjeç, luan për Interin si mbrojtës, apo anësor i djathtë. Çmimi i tij në treg vlerësohet 28 milionë euro. Së fundmi e ka rinovuar kontratën deri në vitin 2028. Paraqitjet e tij në sezonin 2024/25 përfshijnë 4 gola në 5 ndeshjet e fundit dhe gjithsej 10 gola (mes klubit dhe kombëtares), duke theksuar kontributin ofensiv.

Krahasimi
Dumfries pozicionohet në nivelin mesatar-të lartë mes mbrojtësve të djathtë që luajnë në Champions League, me një vlerë prej 28 milionë euro, në të njëjtin nivel me Josip Stanisic (Bayern Munich) dhe Marcos Llorente (Atletico Madrid). Megjithatë, ai mbetet pas lojtarëve si Trent Alexander-Arnold (75 milionë €, Liverpool), Achraf Hakimi (65 milionë €, PSG), Jules Koundé (60 milionë €, Barcelona), Jurrien Timber (50 milionë €, Arsenal) dhe Jeremie Frimpong (50 milionë €, Bayer Leverkusen), të cilët bashkojnë moshën e re, talentin dhe potencialin për zhvillim.

Përparësitë dhe dobësitë
Faktorë që ndikojnë në vlerën e Dumfries:

Mosha – Në moshën 29-vjeçare, Dumfries është pranë kulmit të karrierës, por tregu zakonisht vlerëson më shumë talentet e reja si Rico Lewis (20 vjeç, 40 milionë €) apo Timber (23 vjeç, 50 milionë €).

Paraqitjet – Kontributi i tij ofensiv (10 gola sezonalë) dhe roli kyç tek Interi (në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve) e rrisin vlerën e holandezit, por nuk e vendosin në nivelin e mbrojtësve më kreativë.

Kontrata – Rinovimi deri në vitin 2028 i jep Interit një pozicion të favorshëm në negociata, por klauzola e ulët e lirimit mund ta ulë çmimin në rast transferimi.

Tregu i mbrojtësve – Kërkesa për mbrojtës të djathtë dinamikë dhe ofensivë mban të lartë vlerën e tij, por prania e talenteve të rinj në qarkullim e bën më pak tërheqës për disa klube elitare në krahasim me profile si Frimpong apo Timber.

Përfundimi i Grok
Denzel Dumfries, me një vlerë tregu prej 28 milionë euro, pozicionohet në nivelin mesatar-të lartë ndër mbrojtësit e djathtë të Champions League. Ai është në të njëjtin nivel me Stanisic, Llorente dhe Pavard, por është larg nivelit të lartë ku gjenden Alexander-Arnold, Hakimi dhe Koundé. Vlera e tij mbështetet nga paraqitjet e mira, por kufizohet nga mosha dhe konkurrenca me talentet e reja.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit