Idrizi me mesazhe misterioze: Do dëgjoni histori të bukura për 1 javë!

24 Maj 2019
11:06
Eraldo Harlicaj
back button

Flamurtari mund të shkojë në Europë me "barkun bosh". Një histori anormale e kohëve moderne, pasi vlonjatët po luftojnë fort që të kapin pjesëmarrjen në Europa League, pavarësisht se kanë një sezon pa u paguar. Një çmenduri nga trajneri Ilir Daja, stafi i tij dhe "heronjtë" e bregdetarëve. 

Lojtarët i kanë dërguar administratorit Sinan Idrizi një shkresë ku kërkojnë të kenë një takim me të. Epiqendra e bisedës nuk ka nevojë të mendohet, pasi dihet që do të flitet për rrogat e prapambetura. Zyrtari më i lartë i kuqezinjëve ka refuzuar ftesën e tyre duke lëshuar mesazhe enigmatike. Fjalë që nuk i beson më askush.

Numri një i klubit në një prononcim për "Panorama Sport" u shpreh: "Çështja e pagave është përgjegjësia ime. Një histori përgjegjësie më shumë se gjithçka. Prisni se mos vjen ndonjë surprizë me të mbaruar kampionati. Të presim dhe të shikojmë. Unë do të pres dhe jam i detyruar të pres. 

"Nuk kam përse takohem me futbollistët, pasi me ta jam takuar në çdo kohë dhe përditë jam me ta. U them vetëm të pres dhe aq. Tani unë agjëroj, jam me Ramazan. Duroni dhe një javë për të dëgjuar programin e Flamurtarit, pasi do të them gjëra të bukura. Sa të mbarojnë këta djem do të them histori të tjera", – u shpreh administratori i Flamurtarit.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit