Në “Redi Maloku” nuk pritej kjo. Duhej të ishte një prej përballjeve më të forta sportive të javës së 14-të në Kategorinë e Parë, por Iliria–Skënderbeu u parapri nga një skenë ku sporti ia la vendin dhunës, frikës dhe absurditetit.
Para se skuadrat të dilnin në tapetin e gjelbër, arena u ndez në dhomat e zhveshjes. Trajneri Ernest Gjoka dhe lojtarët Saleh Nasr, Altin Ukiç dhe Mario Gjata u sulmuan barbarisht, në një episod të papranueshëm që godet jo vetëm Skënderbeun, por vetë frymën e futbollit. Sulme që s’kanë vend në asnjë stadium, aq më pak në një ndeshje që duhej të vendoste ritmin e kryesuesve dhe ambiciet e ndjekësve.
Tensioni nuk lindi sot. Edhe ndeshja e parë në Korçë kishte shenja të forta nervozizmi, teksa Skënderbeu fitonte pastër 2–0 ndaj Ilirisë, duke vulosur pretendimet për Superiore. Edhe klasifikimi flet qartë; korçarët kryesojnë të qetë, Iliria mbetet 16 pikë larg, në vendin e pestë. Sot futbolli u njollos. Në vend të spektaklit, një akt i tillë i errët njollos garën. Sepse kur dhuna shpërthen para fillimit të ndeshjes, fusha e blertë nuk është më vend dueli sportiv, por arenë ku humbet kuptimi i lojës magjike.
Dhuna në Fushë Krujë, ndeshja mes Ilirisë dhe Skënderbeut nuk zhvillohet






