Interi, “arrë e fortë” për cilindo kundërshtar. Analiza e rivalit të Barcelonës në gjysmëfinale

18 Prill 2025
9:34
Alfred Lleshi
back button

Për të arritur në finalen e Champions League më 31 maj në Mynih, Barcelona duhet të kalojë një pengesë të vështirë: Interin, që siguroi kualifikimin në gjysmëfinale pas barazimit 2-2 në “San Siro” kundër Bayern Munich, duke konfirmuar avantazhin falë fitores 2-1 në “Allianz Arena”.

Skuadra e Flick do ta presë Interin në ndeshjen e parë gjysmëfinale më 30 prill në “Montjuïc”, vetëm 4 ditë pas finales së Kupës së Mbretit ndaj Real Madridit në Seville. Ndeshja e kthimit do të luhet më 6 maj në “San Siro”, 5 ditë para “El Clásico”-s në La Liga.

Një rival i fortë dhe elastik – Barça do të përballet me një kundërshtar të fortë dhe duhet të mësojë nga gabimet e Dortmundit, pasi Interi dallohet për soliditetin, forcën fizike e fleksibilitetin taktik. Në sezonin e tij të katërt në krye të zikaltërve, Simone Inzaghi ka ndërtuar një ekip shumë të vështirë për t’u mposhtur, i aftë të shmangë presionin me pasime të gjata nga qendra, si dhe të godasë me kundërsulme kur gjen hapësira.

Besnik ndaj skemës 3-5-2, që e përdorte edhe te Lazio, trajneri italian ka krijuar një bllok që e njeh përmendësh filozofinë e tij. Krahët, Di Marco dhe Darmian (apo Dumfries, që aktualisht është i dëmtuar dhe në dyshim për ndeshjen e parë ndaj Barcelonës) dinë të jenë të rrezikshëm në sulm dhe të rikthehen shpejt në mbrojtje.

Në qendër janë tri shtylla: Pavard, Acerbi dhe Bastoni. Mesfusha është një trekëndësh i lëvizshëm me Mkhitaryan, Çalhanoglu (i njohur për goditjet e tij nga distanca) dhe Barella, të gjithë të aftë të ndërrojnë pozicionet dhe të futen nga linja e dytë për të befasuar.

Në sulm, Lautaro Martinez është tashmë kapiten dhe lider absolut, së bashku me Marcus Thuram, që ka bërë një hap cilësor të madh. Thuram ka shënuar 14 gola në Serie A, ndërsa Lautaro 12, por ky i fundit është edhe golashënuesi më i mirë i Interit në Champions për këtë sezon, me 8 gola.

Rreziku nga goditjet standard – Barcelona duhet të jetë shumë e kujdesshme në goditjet standarde. 3 nga 11 golat e fundit të pësuar kanë ardhur nga këndoret, ndërsa Interi i shënoi të dy golat ndaj Bayernit pikërisht nga situata të tilla. Për më tepër, ajo e Inzaghit është skuadra që realizon më shumë krosime në Itali.

Aktualisht, Interi është lider në Serie A me 21 fitore, 8 barazime dhe vetëm 3 humbje, me golavarazh 72-31, dhe ashtu si Barça, synon tripletën sezonale. Edhe në Champions, shifrat janë mbresëlënëse: në 12 ndeshje ka fituar 9, barazuar 2 dhe humbur vetëm një (1-0 në fushën e Leverkusenit). Dy sezone më parë, Interi ishte finalist i Champions-it, ku humbi ngushtë 1-0 kundër Manchester City të Pep Guardiolës.
Marrë nga “Mundo Deportivo”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit