Luis Figo, një nga ambasadorët e “Laureus World Sports Academy”, mori pjesë në Madrid, në edicionin e 25-të të këtyre çmimeve, duke qenë pjesë e një tryeze të rrumbullakët së bashku me legjenda të futbollit si Fabio Capello, Cafú, Ruud Gullit dhe Paulo Dybala. Pas takimit, ish-ylli portugez foli me gazetarët, duke prekur disa tema të aktualitetit futbollistik, përfshirë edhe gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve mes Interit dhe Barcelonës. Më poshtë janë deklaratat e tij:
Kush është favoriti kryesor për ta fituar Ligën e Kampionëve?
Sipas mendimit tim, PSG, që ka një vazhdimësi të mirë në rezultate dhe formë fizike të shkëlqyer. Sidoqoftë, është e vështirë të flasësh me siguri, nuk dua të jap një parashikim përfundimtar për fituesin e Champions-it këtë sezon.
Si e sheh përballjen mes Interit dhe Barcelonës në gjysmëfinale?
Janë dy skuadra me stile të ndryshme. Interi nuk është vetëm mbrojtje, kush mendon kështu, gabon. Interi këtë sezon mund të fitojë edhe tripletën. Skuadra e Inzaghit është solide në mbrojtje, ka pësuar pak gola në Champions, por ka edhe lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Prandaj duhet bërë një analizë më e plotë, jo thjesht të thuhet se është një skuadër mbrojtëse.
Po tripleta e Barcelonës, a është e mundur?
Eh, është një mundësi, apo jo?







