Një sukses i pastër, të paktën në rezultat, për Milanin, që mposhti Interin 3-0 në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, kuqezinjtë dominuan në “San Siro” me një dygolësh të Luka Jovic dhe një tjetër gol të të zakonshmit Tijjani Reijnders në fundin e ndeshjes. Për skuadrën e Sergio Conceição tani hapen dyert e finales në Romë.
Nga ana tjetër, për Interin merr fund ëndrra e tripletës sezonale. Skuadra e Simone Inzaghit nuk do të ketë më mundësinë të ngrejë Kupën e Italisë, duke mbetur në garë vetëm për titullin kampion dhe Champions League.
Në Serie A, gara me Napolin është ende e ndezur: të dyja skuadrat ndodhen me pikë të barabarta, pesë javë nga fundi i kampionatit. Në rast barazimi në renditje, do të zhvillohet një ndeshje shtesë për të përcaktuar kampionin.
Në Champions, zikaltërit do të përballen në gjysmëfinale me Barcelonën, sfidë që mund të përcaktojë fatin e një sezoni të tërë. Këto dy trofe të mbetur janë objektivat e vetëm të mëdhenj të sezonit për Interin, që nuk do të mund të përsërisë suksesin e jashtëzakonshëm të epokës së José Mourinhos.
Me eliminimin e Interit nga Kupa e Italisë, në garë për tripletën sezonale kanë mbetur vetëm dy ekipe: PSG dhe Barcelona, duke përjashtuar Arsenalin që tashmë ka dalë nga “FA Cup”.
PSG e Luis Enrique ka siguruar titullin kampion në Ligue 1 disa javë përpara përfundimit të sezonit dhe më 24 maj do të luajë finalen e Kupës së Francës ndaj Reims. Përveç kësaj, parizienët do të përballen me Arsenalin në gjysmëfinale të Champions League.
Barcelona, ndërkohë, është kryesuese në La Liga me 4 pikë më shumë se Real Madridi dhe më 26 prill do të luajë finalen e “Copa del Rey” pikërisht kundër rivalëve madrilenë. Në mes të gjithë këtyre përballjeve është edhe sfida vendimtare në Champions, ndaj Interit. Dy skuadra, një objektiv historik: tripleta sezonale.







