Interi humbi dje 1-0 ndaj Romës dhe e vështirësoi shumë jetën e vet në garën për titullin kampion, pas eliminimit nga Kupa e Italisë, të mërkurën. Sandro Sabatini komentoi humbjen e zikaltërve në kanalin e tij në YouTube:
“Interi zgjodhi mënyrën më dramatike për ta humbur titullin, një psikodramë e vërtetë. Interi ankohet për një penallti të pretenduar, që ndoshta ishte ndaj Bisseck, por Roma e meritoi qartë fitoren. Interi pati shumë pak raste.
Interit i mbetet vetëm Liga e Kampionëve, sepse titulli tashmë ka ikur. Barcelona është skuadra më në formë në Europë. Pse u rrëzua Interi brenda një jave? Është e vështirë të renditen të gjitha arsyet, nuk ka një të vetme kryesore.
Thuhet se skuadra është e lodhur, por ky nuk është justifikim. Lautaro ka luajtur 45 ndeshje, ndërsa Lewandowski ka luajtur 48 të tilla, tani mungon për shkak dëmtimi. Nëse ata të Barcelonës vrapojnë dhe ata të Interit nuk vrapojnë më, atëherë lodhja nuk mund të jetë justifikimi kryesor, sepse duhet të ishin lodhur të gjithë.
Në fakt, Interi duket më i lodhur se të gjithë të tjerët. Ndonjëherë gjithçka varet nga koka, sepse brenda një jave Interi kaloi nga ëndrra e tripletës në makthin e zero titujve”.







