Në një natë heroike në “San Siro”, emocionet ishin të panumërta. Interi shkoi në finalen e Ligës së Kampionëve, me plot meritë, por në të dyja ndeshjet, edhe në Katalonjë, edhe në Milano, nuk ka munguar admirimi për talentin e jashtëzakonshëm të Lamine Yamal.
Vetëm një Sommer monstruoz arriti ta ndalte yllin spanjoll, i cili mori notën 8 në vlerësimet e “Gazzetta dello Sport”, bashkë me vlerësimin si vijon: “Ndjesia është se pas Pelé, Diego-s dhe Leo-s, po asistojmë në lindjen e fenomenit të ri botëror.
Të gjithë e kërkojnë, të gjithë i japin topin, duke harruar që është ende shumë i ri dhe që duhet mbrojtur. Por ai nuk është një fëmijë i zakonshëm. Është një kampion, që e kthen aksionin mbrojtës në kundërsulm me një prekje të vetme. Dhe, ndër të tjera, ka edhe një karakter të fortë”.
Pas ndeshjes e ndërroi fanellën me Alessandro Bastonin, një prej atyre që ditët e fundit e kishte cilësuar si “kundërshtari më i fortë, ndaj të cilit kam luajtur ndonjëherë”.
Lamine Yamal është vetëm 17 vjeç, një yll i paracaktuar i futbollit botëror.











