Në finalen e Ligës së Kampionëve që do të luhet të shtunën e ardhshme në “Allianz Arena” të Mynihut, përballë Interit të Simone Inzaghit do të jetë një fytyrë e njohur për tifozët zikaltër; Achraf Hakimi. Në sezonin e dytë të Antonio Contes tek Interi, marokeni ishte një “armë vdekjeprurëse” që ndihmoi ekipin zikaltër të fitonte titullin kampion, para se të pranonte ofertën e PSG.
Në një intervistë për “France Télévisions”, marokeni pranoi se kjo do të jetë një ndeshje dyfish e veçantë për të: “Është një finale e Ligës së Kampionëve, finalja ime e parë e madhe europiane me PSG. Do të jetë një moment shumë i rëndësishëm, edhe sepse përballë do të jetë Interi. Nuk do ta harroj kurrë që kam veshur fanellën zikaltër dhe që fitova titullin e Serie A me ta. Jam i lumtur që do të luaj kundër tyre”.
Më pas, duke folur për Luis Enrique, tha: “Mendoj se është një trajner shumë pranë lojtarëve. Është shumë njerëzor, shumë i lidhur me ne, si në momentet e mira, ashtu edhe në ato të këqija. Beson te ne. Na e transmeton këtë besim dhe punojmë mirë me të. Ka krijuar një grup të bashkuar, një familje të vërtetë. Njerëzit nuk e kuptojnë gjithmonë mënyrën e tij të punës, metodën e tij, por me mua funksionon shumë mirë”.







