Interi mposhti Torinon dhe i vuri presion Napolit, që barazoi në shtëpi, në garën për kreun e Serie A. Trajneri Simone Inzaghi, në intervistën për “Sky Sport”, analizoi momentin e skuadrës së tij:
Objektivi – “Fatkeqësisht titulli tani nuk është më në dorën tonë. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë ndeshje të organizuara e serioze, si kjo sonte. Luajtëm kundër një skuadre që nuk humbiste prej 8 ndeshjesh në shtëpi, e dinim që duhej një Inter i fortë dhe i vendosur, dhe kështu ndodhi”.
Zalewski dhe zgjidhjet alternative – “Është një lojtar me cilësi, që ka lindur për atë rol, pastaj u zhvendos si anësor i pestë, bëri mirë. Na mungonin lojtarë si Çalhanoglu dhe Barella, të cilët mundën të luanin disa minuta dhe e bënë mirë. Jam i lumtur për Nicola, Taremi, për të gjithë djemtë. Luajtëm shumë mirë, më pëlqyen shumë”.
Menaxhimi i ditëve në vijim – “Tani do të kemi disa ditë pushim, djemtë duhet të çlodhen. Sa iu përket atyre që munguan, nuk besoj se do ta rikuperoj dot Frattesin, Mkhitaryan, Pavard dhe Lautaron për ndeshjen ndaj Lazios. Shpresoj për ndeshjen e fundit… Na kanë mbetur 20 ditë deri në finalen e Champions-it, duhet të bëjmë dy ndeshje të mira dhe të stërvitemi me qetësi, si gjithmonë. Ankthi nuk ndihmon, duhet të stërvitemi siç kemi bërë deri tani”.
Juan Martinez, portieri i së ardhmes: “Është një portier që e deshëm me çdo kusht. Kishim disa profile, zgjodhëm atë për çfarë kishte treguar në dy vite te Genoa. Është pozitiv, stërvitet mirë dhe gjithmonë ka reaguar kur është thirrur për të kontribuar. Është gati për të luajtur tek Interi, edhe pse ka konkurrencë me Sommer, që po bën sezon të jashtëzakonshëm. Është e rëndësishme të kemi dy pika të sigurta mes shtyllave, pa harruar Di Gennaro, që gjithashtu është gati”.
Sa herë e ka parë ndeshjen Inter-Barça – “Natën, kur shkova në shtëpi, e rishikova menjëherë. Ishte një mbrëmje e fortë emocionalisht, ndaj isha kurioz ta shihja me qetësi. Bëmë një paraqitje të madhe kundër një kundërshtari me shumë vlera. Vetëm kështu arrihen objektiva të tillë. Nganjëherë thuhet që Interi është ‘i shkurtër’, por ne e dimë që nuk kemi buxhetin e PSG, Barcelonës apo Bayern Munich. Dimë të jemi më të zotët me organizim, edhe nëse nuk jemi më të fortët”.







