Nuk ka asgjë më të mirë sesa të përballesh sërish, pas pak ditësh, me skuadrën që të ka ulur me këmbë në tokë. Nga e enjtja deri të hënën, Interi ka mundësinë të tregojë se humbja me Fiorentinën ishte vetëm një incident i vogël, ndoshta i lidhur me një rënie normale mendore pas një periudhe të ngjeshur me ndeshje.
Pikërisht për këtë arsye, Simone Inzaghi ka vendosur që skuadra të zhvillojë vetëm një seancë përgatitore në vigjilje të ndeshjes dhe një tjetër ditën e saj, duke iu dhënë lojtarëve lirinë të ktheheshin në shtëpi. Pra, nuk kishte grumbullim. Kjo tregon qartë se skuadra ka nevojë të relaksohet paksa mendërisht.
Pas Fiorentinës, zikaltërit do të kenë një kalendar të ngjeshur me ndeshje vendimtare: fillimisht Juventusin në Torino, më pas Genoa në shtëpi, gjysmëfinalen e Kupës së Italisë ndaj Lazios dhe në fund sfidën më të rëndësishme të kampionatit, përballjen me Napolin në “Maradona”. Një tur force i vështirë, por me një avantazh të madh: dy javë të plota stërvitjeje pa ndeshje në mesjavë.
Kalimi direkt në fazën e 1/8-ave të Champions League i ka dhënë Interit mundësinë të përgatitet në mënyrën më të mirë për momentet kyçe të sezonit. Juventusit, për shembull, do t’i duhet të përballet me PSV-në në “play-off”-in e Champions-it përpara derbit të Italisë, gjë që mund ta penalizojë në përgatitjet për sfidën me kampionët e Italisë.
Sa i përket formacionit për ndeshjen me Fiorentinën, Inzaghi mund të rikthejë në dispozicion Acerbin. Mbetet për t’u parë nëse ai do të luajë që nga minuta e parë mes Pavard dhe Bastonit apo nëse do të vazhdojë me De Vrij. Darmian do të jetë i sigurt në të djathtë, për shkak të pezullimit të Dumfries, ndërsa në të majtë Dimarco, i sapokthyer nga një grip, mund t’i lërë vendin Zalewskit.
Në mesfushë, eksperimenti me Frattesin në Firence nuk funksionoi, duke sjellë edhe polemika mbi spekulimet e fundit të merkatos. Kështu, Inzaghi pritet ta lërë Mkhitaryan pushim dhe të aktivizojë treshen Barella-Calhanoglu-Zielinski. Ndërkohë, në sulm nuk priten rotacione, Lautaro dhe Thuram do të luajnë nga minuta e parë.







