Ish-boksieri kazak Gennady Golovkin, fitues i medaljes së argjendtë olimpike në “Athinë 2004” dhe president i Komitetit Olimpik të Kazakistanit, u zgjodh presidenti i ri i Boksit Botëror (World Boxing). Ai zëvendëson numrin një në largim, Boris Van Der Vorst.
Në zgjedhjet e zhvilluara në Romë, ai pati mbështetjen e të gjithë anëtarëve. World Boxing është organi i themeluar vitet e fundit me mbështetjen e IOC, për të shpëtuar sportin olimpik, pas skandaleve të fundit në baste dhe gjykim.
Golovkin, 43 vjeç, është dy herë kampion bote në peshën e mesme dhe një nga luftëtarët më të frikshëm në sportin profesionist. Që prej vitit 2024 ai drejton olimpizmin në vendin e tij, ndaj ka mbështetjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Në kongresin e Boksit Botëror (World Boxing), Golovkin ishte kandidati i vetëm për president. Ai do të shërbejë një mandat fillestar tre-vjeçar. “Është një privilegj të zgjidhem si presidenti i ri i Boksit Botëror. Por ky është vetëm fillimi. Duke filluar nga sot, atletët do të jenë në zemër të çdo vendimi që marrim”, tha Golovkin.
“Në rrugën drejt “LA28”, ne do të rivendosim besimin në boksin olimpik për të siguruar vendin tonë në Brisbane dhe më gjerë. Tani është koha të ecim përpara si një familje e bashkuar boksi”, tha kazaku.
Boksi ishte në prag të përjashtimit të plotë nga Lojërat Olimpike pasi IOC përjashtoi IBA-n (organin e mëparshëm drejtues të sportit amator), për shkak të shqetësimeve të gjata në lidhje me qeverisjen, arbitrimin dhe akuzat për korrupsion. World Boxing, e cila u krijua në prill 2023, u themelua posaçërisht për të shpëtuar sportin olimpik.







