Ish-kampionia e dyfishtë e botës gati të rikthehet në kafaz: Mendoj si kampione, ndihem ende kampione

30 Janar 2024
11:36
Telesport
back button

Ish-kampionia e dyfishtë e botës në artet marciale mikse, Amanda Nunes, e pranishme këtë fundjavë në eventin UFC-297, beson se mori vendimin e duhur duke u tërhequr nga sportet luftarake. Gjithsesi, “luanesha” nuk e përjashton një rikthim në kafaz këtë vit.

Një deklaratë që vjen pak ditë pas eventit kanadez, që pa Raquel Pennington të merrte titullin kampion në peshën “bantamweight” (pesha deri 62kg). Ky titull ishte vakant pas tërheqjes pikërisht të Nunes, gati një vit më parë.

Nunes (23 fitore e 5 humbje në kafaz), disa vite më parë e mposhti Pennington në luftën e tyre për titullin (UFC-224). “Isha nervoze. Nuk e di pse, por isha shumë nervoze duke parë këtë duel. Ishin emocione të përziera. Isha e lumtur dhe e trishtuar njëkohësisht”, tha Nunes për ESPN.

Kur pashë Pennington me titullin isha mirë. Unë nuk u mërzita apo diçka e tillë. Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Unë jam ende e re dhe e freskët. Asnjëherë nuk i dihet, unë jam një luftëtare dhe kjo është puna ime dhe e dua shumë këtë, kështu që nuk e di”, u shpreh Nunes, që ka mbajtur edhe titullin e peshës “featherweight” (pesha deri 65kg).

Më pëlqen të mos jem çdo ditë në palestër, të bëj një jetë normale dhe të qëndroj paksa dembele sepse të jesh dembel si luftëtar është shumë e vështirë. Por ju e dini, unë jam ende e shëndetshme, e fuqishme, e zgjuar. Mendoj si kampione, ndihem ende kampione, kështu që do të shohim”, tha Nunes. 35-vjeçarja braziliane vari dorezat pasi mundi në revansh Irene Aldana në UFC-289.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit