Pretendoi të rikthehej në kafaz pas dy dueleve në boks, UFC i “mbyll derën” ish-kampionit të botës

27 Mars 2024
13:20
Telesport
back button

Presidenti i UFC, Dana White, ka deklaruar se rikthimi në kafaz i ish-kampionit të botës në peshën e rëndë, Francis Ngannou, nuk është i sigurtë. Ai la kafazin një vit më parë për të kaluar në ring, ku arriti të duelojë ndaj dy boksierëve britanikë Tyson Fury e Anthony Joshua.

Ngannou humbi me vendim shumice duelin e parë ndaj Fury, por në të dytin u mund keqazi nga Joshua me KO në raundin e dytë. Pas duelit të fundit, kamerunasi u shpreh se dëshiron të rikthehet në kafaz, por numri 1 i arteve marciale mikse ka të tjera plane për këtë Divizion.

Nuk ka asgjë të sigurtë. Ai u josh nga paratë e boksit dhe kaloi aty. Nëse Fury do të stërvitej si duhet për duelin ndaj Ngannou jam i sigurtë që do të fitonte ashtu si Joshua. Ju e dini që s’jam dakord për këto kalime nga kafazi në ring, pasi përfundojnë gjithnjë kështu”, tha Dana White.

Ngannou u largua nga UFC janarin 2023 edhe pse thuhet se hodhi poshtë një ofertë që do ta bënte atë luftëtarin e peshës së rëndë më të paguar të të gjitha kohërave. Luftëtari u lirua nga organizata dhe iu hoq brezi i peshës së rëndë pasi mori vendimin për të mos rinovuar kontratën me promovimin.

Ndërkohë, Ngannou këmbëngul se do të vazhdojë të ndjekë suksesin në ring. “Unë nuk kam mbaruar këtu” tha Ngannou, ndërkohë që edhe Joshua e ka inkurajuar që të vijojë të duelojë në ring. “Ai është një frymëzim. E ftoj që të mos e lërë boksin. Jam gati ta ndihmoj”, tha Joshua.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit