UFC-299: O’Malley mbron titullin kampion në peshën “bantamweight”, fiton edhe veterani Poirier

11 Mars 2024
11:04
Telesport
back button

Luftëtari amerikan Sean O’Malley mbrojti titullin kampion bote në peshën “bantamweight” (pesha deri 62kg) në artet marciale mikse. Në eventin UFC-299 zhvilluar në Majemi (Florida), ai mundi me vendim unanim të gjyqtarëve ekuadorianin Marlon Vera.

Një sfidë mjaft e bukur, në përgjithësi e dominuar nga O’Malley, që nuk humbet në kafaz prej 7 duelesh. Të tri gjyqtarët i dhanë atij fitoren pas 5 raundeve: 50-45, 50-45, 50-44, duke mbrojtur kështu për herë të parë titullin kampion fituar verën e kaluar.

Për Sean O’Mally kjo është fitorja numër 18 në karrierë, ku ka edhe një humbje e një duel pa rezultat. Jo vetëm kaq, por kjo fitore ishte një hakmarrje ndaj Vera (23 fitore, 9 humbje e 1 duel pa rezultat), që e kishte mundur 4 vite më parë.

Të vetmen humbje në karrierë, O’Malley e kishte ndaj Vera, por tashmë u hakmorr, duke mbrojtur titullin, në një sfidë ku ishte superior në kafaz. Rivali ekuadorian nuk arriti të japë atë që pritej, duke dalë kokëulur nga kafaz.

Në këtë eventi spikat edhe fitorja me KO në raundin e dytë të veteranit Dustin Poirier. Ai mposhti Benoit Saint Denis, në një duel ku Poirier pati epërsi dhe grushtet e tij hodhën në tapet rivalin dhe detyruan gjyqtarin ta ndalë sfidën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit