Një nga protagonistët e këtij Europianit të futbollit pritet të jetë sulmuesi anglez Harry Kane. Pavarësisht një sezoni pa trofe te Bayern Munich, sulmuesi 30-vjeçar ishte i jashtëzakonshëm në fushë me golat e tij, gjë që shpreson ta bëjë edhe në kombëtare.
Në një intervistë për UEFA.com, kapiteni i kombëtares angleze shpreh emocionet para këtij turneu. “Nuk e mohoj, jam i emocionuar. Ka gjithnjë ankth, sidomos pasi shkon në një vend tjetër, sistemohesh në hotel dhe sheh situatën përreth”, tha Kane.
“Nëse gjërat na shkojnë mirë, kjo do të jetë baza jonë për 4-5 javë, deri në fund të turneut nëse shkojmë deri në fund. Me kalimin e ditëve ke edhe pak nervozizëm dhe presim që sot të shohim ndeshjen e parë Gjermani-Skoci”, tha Harry Kane.
“Për momentin jemi të qetë dhe të emocionuar, por mezi presim të zbresim në fushë për të shkarkuar gjithë këtë tension që ka para një turneu të tillë”, u shpreh kapiteni i “3 luanëve”. Anglia është në Grupin C bashkë me Serbinë, Danimarkën e Slloveninë.







