Galatasaray nuk është vetëm në gjurmët e Hakan Calhanoglu. Sipas asaj që raporton ESPN, kampionët e Turqisë, të kualifikuar në Ligën e Kampionëve, po ndjekin me vëmendje edhe situatën e Ilkay Gundogan te Manchester City dhe do të ishin gati t’i bënin një ofertë atij, nëse do të bëhej i disponueshëm gjatë verës.
Gundogan është nën kontratë me Manchester City deri në vitin 2026, pasi gjatë sezonit u aktivizua opsioni rinovues për një vit tjetër. I rikthyer me shpejtësi në krahët e Guardiolës, pas eksperiencës me Barcelonën, aktualisht ai është i angazhuar në Botërorin për Klube në SHBA, por konkurrenca në mesfushën e “qytetarëve” është rritur shumë pas ardhjes së Reijnders dhe rikthimit të Rodrit nga dëmtimi.
Sipas televizionit britanik, drejtuesit e Galatasaray janë të bindur se Gundogan do të ishte i hapur për një transferim në Stamboll, në rast se vendos të largohet nga “Etihad Stadium”. Pse pikërisht 34-vjeçari me origjinë nga Gelsenkirchen? Sepse prindërit e tij janë me origjinë turke dhe ai do të dëshironte të luante për gjigantët e Stambollit para se ta mbyllë karrierën.
Ndërkohë, për sezonin e ri, Gündogan nuk është përfshirë në grupin e liderëve të zgjedhur nga Guardiola, i cili ka preferuar Bernardo Silva, Rúben Dias, Rodri dhe Erling Haaland. Një tjetër sinjal për të ardhmen e tij…







