Te Bayern Munchen, vetëm dy ditë para derbit gjerman të Champions League kundër Bayer Leverkusenit, tema e rinovimit të kontratës së Joshua Kimmich vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Mesfushori, që është kapiteni i kombëtares gjermane, ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor të kësaj vere.
Fillimisht, palët kishin rënë dakord për një zgjatje 3-vjeçare të kontratës dhe Kimmich kishte një afat të caktuar për të dhënë përgjigjen e tij dhe nënshkruar. Megjithatë, sipas “Bild”, Bayern Munich, i lodhur nga pritja, e ka tërhequr ofertën e tij në fund të javës së kaluar. Po tani?
Sipas “The Athletic”, negociatat nuk kanë përfunduar ende. Nuk do të ketë më bisedime për aspektin financiar, por ka ende shpresë që Kimmich të firmosë një zgjatje të kontratës. Një takim i ri mes klubit dhe lojtarit është zhvilluar gjatë fundjavës së kaluar dhe nuk ka qenë aspak konfliktual.
Drejtori sportiv i Bayernit, Christoph Freund, u pyet për situatën pas fitores 3-1 kundër Stuttgartit, të premten mbrëma, teksa u shpreh: “Mund të theksoj vetëm se kemi pasur biseda vërtet të mira dhe korrekte me Kimmich gjatë muajve të fundit. Do të vazhdojmë t’i zhvillojmë ato. Një vendim do të merret shumë shpejt. Jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me lojtarin, kjo është gjëja më e rëndësishme”.
Pra, në një mënyrë apo në një tjetër, vendimi pritet të merret në ditët në vijim. Megjithatë, Kimmich ka edhe alternativa të tjera. Arsenali e ka marrë në konsideratë si një kandidat për të zëvendësuar Jorginhon këtë verë, edhe pse për momentin nuk duket prioritet për “Topçinjtë”.
Barcelona, e cila drejtohet nga ish-trajneri i Bayernit dhe i kombëtares gjermane, Hansi Flick, është një tjetër opsion i mundshëm. Nga ana tjetër, PSG kishte shfaqur interes për ta afruar gjatë verës 2024. Sa i përket vetë lojtarit, dëshira për një sfidë të re mund të ndikojë në vendimin e tij për ta lënë Bayernin.







