Bayern Munich po përgatitet për një të ardhme pa Thomas Müller, i cili pak ditë më parë njoftoi largimin në fund të sezonit. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së parë çerekfinale të Champions League ndaj Interit, Konrad Laimer është shprehur kështu, kur u pyet nëse pret ndonjë “magji” nga shoku i skuadrës në largim: “Si gjithmonë, por kemi edhe lojtarë të tjerë që mund ta vendosin një ndeshje si kjo. Jam i bindur se të gjithë mund të bëjnë diçka të jashtëzakonshme. Ne si grup do të përpiqemi të ndihmojmë njëri-tjetrin”.
Si është të luash me një shok skuadre si Müller?
Është një ndjesi e mrekullueshme, edhe të jesh në dhomat e zhveshjes dhe të kalosh kohë me të. Këto dy vitet e fundit kam pasur fatin të ulem pranë tij dhe mund të them se është tamam siç duket, 100% i vërtetë. Ka gjithmonë karakterin e tij të veçantë dhe është kënaqësi të jesh pranë një personi të tillë. Transmeton shumë energji, përmirëson të tjerët, sepse kërkon gjithmonë të përmirësojë edhe veten. Kam mësuar shumë prej tij. Kisha luajtur kundër tij më parë dhe mendoj se është një nga lojtarët më të mëdhenj që kanë ekzistuar. Më ka ndihmuar shumë.
Si e mësuat lajmin për largimin e tij? Dhe kush mund ta zëvendësojë?
Nuk mund të zëvendësohet. Ai është unik, i jashtëzakonshëm. E mësova si ju, përmes mediave. Dua t’i shijoj këto javët e fundit me të, ashtu si edhe shokët e mi të skuadrës. Vazhdojmë të mësojmë prej tij. Ajo që transmeton para një ndeshjeje është e pabesueshme. Kush do të vijë pas tij, do ta shohim, për momentin nuk e kemi mendjen aty.







