Lautaro Martinez, tashmë konsiderojeni ‘top lojtar’. A mund ta fitojë “Topin të Artë” kapiteni zikaltër?

19 Prill 2025
10:12
Alfred Lleshi
back button

Pas një tjetër performance dominuese në Champions League, Lautaro Martinez është sërish në qendër të vëmendjes. Sulmuesi argjentinas ishte vendimtar në përballjen me Bayern Munich (2-2), duke u shpallur lojtari i ndeshjes në çerekfinalken e kthimit të Champions League.

Me 21 gola në 43 ndeshje, “Toro” po përjeton një tjetër sezon spektakolar me fanellën e Interit. Një mesatare golash që do të ishte e jashtëzakonshme edhe për legjendat e së kaluarës.

Nëse në ndeshjen e parë i ndëshkoi bavarezët me një perlë teknike, në kthim u tregua “gjuetar” i vërtetë brenda zonës. U tregua më shumë një “gjarpër” sesa një “dem”, që përfitoi nga momenti i panikut në mbrojtjen bavareze.

A mund ta fitojë “Topin e Artë”?
Për momentin, është ende herët për të bërë parashikime, por pyetja ka filluar të shtrohet seriozisht: a mund ta fitojë Lautaro Martinez çmimin prestigjioz të “Topit të Artë”? Nëse Interi arrin të bëjë mrekullinë dhe të fitojë tripletën sezonale, kampionat, Kupë Italie dhe Champions, atëherë shanset janë reale. Në futbollin modern, rezultatet kolektive janë shpesh vendimtare për çmimet individuale.

Sidoqoftë, ka një “por”… Ky nuk është domosdoshmërisht sezoni më konstant i Lautaros. Fillimi ishte i ngadaltë, me disa kritika dhe një efiçiencë më të ulët në Serie A, ndoshta si pasojë e lodhjes pas “Copa America”. Megjithatë, në ndeshjet e fundit ai po shfaqet si lider absolut, ndërkohë që skuadra po kalon momente të lodhshme.

Nuk është vetëm tifozëria që e adhuron. Edhe presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, e ka vlerësuar publikisht kapitenin zikaltër: “Lautaro ka ndërtuar jo vetëm një kontratë, por edhe një marrëdhënie të thellë përkatësie me këtë klub. Është rritur si lojtar dhe si njeri. Ai është lideri ynë, pa harruar të tjerët. Ka pasur rritje të dukshme”.

Përfundimisht…
Lautaro mund të mos jetë favorit absolut për “Topin e Artë” nëse nuk fiton tripletën sezonale, por me paraqitjet e fundit dhe rëndësinë e tij vendimtare në skenat më të mëdha, sigurisht mbetet në garë për çmimin prestigjioz. Dhe nëse Interi vazhdon në këtë rrugë, drejt lavdisë europiane, “Toro” mund ta hapë portën e historisë edhe në planin individual…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit