Ulërima e Lautaro Martinez, ngjitur me tribunën e tifozëve pas golit të barazimit (1-1), është pasqyra më e mirë e mbrëmjes së fundit të Champions-it për Interin. Ka shumë nga “Toro” në këtë tjetër arritje të zikaltërve, që tani e ndiejnë më afër se kurrë ëndrrën e tripletës.
Me golin e së mërkurës, sulmuesi argjentinas arriti kuotën e 21 golave sezonalë. Ky moment shënoi edhe një tjetër sukses personal: u bë i pari lojtar i huaj në historinë e Interit që arrin 150 gola në të gjitha kompeticionet.
Me teknikën, karakterin dhe shpirtin e sakrificës, Lautaro është shndërruar në simbolin absolut të Interit të Inzaghit, një skuadër që ka uri për lavdi europiane. Finalja e humbur në Stamboll është ende e freskët në kujtesën e kapitenit. Deklaratat e tij pas ndeshjes, të drejtpërdrejta dhe të zjarrta, e konfirmuan plotësisht: “Interi ka bo*e të mëdhaja, ne besojmë te triumfi”.
Sidoqoftë, përballja e dyfishtë me Barcelonën nuk vlen vetëm një vend në finalen e Mynihut. Ajo mund të peshojë shumë edhe për “Topin e Artë”. Sipas “L’Équipe”, të gjithë lojtarët që formuan “top 5” në edicionin e fundit të këtij çmimi prestigjioz janë eliminuar tashmë nga Champions-i: Rodri, Vinicius, Bellingham, Carvajal dhe Haaland. Edhe Mbappé, një tjetër favorit i zakonshëm, u eliminua përballë Arsenalit.
Në këtë skenar, Lautaro Martinez dhe Lamine Yamal mbeten dy emrat më të fortë për trofeun prestigjioz, të vetmit mes dhjetëshes më të mirë të 2024-ës, ende në garë në arenën europiane. Champions-i tradicionalisht ka peshë vendimtare në përcaktimin e çmimit prestigjioz individual, por këtë herë pritet të luajë rol edhe Kupa e Botës për Klube, që do të zhvillohet në qershor në SHBA.
Nëse dueli Inter-Barça do të përcaktojë fituesin mes Lautaros dhe Yamalit, nuk duhet nënvlerësuar as “tridenti” Dembélé–Raphinha–Lewandowski. Ecuria në vazhdim, në këtë fazë vendimtare të sezonit, mund të përmbysë çdo llogaritje përfundimtare për “Topin e Artë”.







