Dyqind e pesëdhjetë ditë më parë Gleison Bremer dëmtoi ligamentin e përparmë të kryqëzuar në gjurin e majtë, që e detyroi të operohej. Juventus ka qenë pa mbrojtësin e tij më të mirë, por ky boshllëk nuk është i destinuar të zgjasë shumë. Në fakt, është gati të plotësohet së shpejti nga qendërmbrojtësi brazilian.
Që këtë javë, mbrojtësi gradualisht ka nisur të stërvitet me ekipin nën urdhrat e trajnerit Igor Tudor. Bremer është parë në qendrën stërvitore të Juventus prej disa javësh, fillimisht vetëm në palestër, më pas me vrapimet e para në fushë dhe më pas ka punuar me topin. Gjithmonë i monitoruar nga stafi i Juventus.
Megjithatë, riintegrimi i tij në grup kërkon ende edhe pak kohë. Skuadra ka rinisur stërvitjen për Kupën e Botës për klube, por Bremer nuk do të luajë. Ai do të udhëtojë në Amerikë, por puna e tij do të ndahet mes stërvitjes së personalizuar dhe ushtrimeve në grup.
Rikthimi i tij do të jetë një riintegrim gradual, delikat dhe i saktë në të njëjtën kohë. Në Torino askush nuk dëshiron të rrezikojë ndonjë komplikacion për një nga lojtarët më të fortë në skuadër. Ndaj, Bremer do të vijojë stërvitjen graduale, për të qenë gati për sezonin e ri.
Ai nuk pritet të luajë në Botërorin e klubeve, por do të jetë në dhomat e zhveshjes. Bremer dëshiron të luajë disa minuta, por stafi po e pengon. Tifozët, ndoshta, mund të ëndërrojnë ta shohin në fushë nëse skuadra arrin deri në fund të kompeticionit, kur ai do të stërvitet me grupin për më shumë se një muaj.







