Lucio kujton “thrillerin” e paharrueshëm ndaj Barcelonës: Inzaghi e meriton një mbrëmje si ajo e Mourinhos

30 Prill 2025
11:32
Alfred Lleshi
back button

Lucio ishte i pranishëm në “Camp Nou” kur Interi i rezistoi përpjekjes për përmbysje të Barcelonës dhe siguroi finalen e Champions League në vitin 2010. Ish-mbrojtësi brazilian e kujton shumë mirë atë natë, madje do të donte që ajo të përsëritej edhe të mërkurën, më 30 prill, kur zikaltërit do të përballen sërish me katalanasit.

“Kam kaluar shumë beteja gjatë karrierës sime, por si ajo ka pasur pak. Me kalimin e viteve mund të them që ishte thuajse argëtuese ajo ndeshje, mënyra si u zhvillua, atmosfera unike, pothuajse e papërsëritshme. Ishte bukur ta përjetonim atë moment.

Sigurisht, pas golit të Piqué më pak, por në zemrat tona kemi qenë gjithmonë të bindur që do të rezistonim deri në fund, – kujton Lucio për “Gazzetta dello Sport”. – Shikoja Samuelin në krah, pastaj një shok tjetër skuadre gati të vdiste për mua. Edhe ai e dinte që do të bëja të njëjtën gjë për të.

Dhe pastaj vrapimet e Zanettit, Cambiassos, Maiconit, as ndëshkimi absurd i Thiago Mottës nuk na rrëzoi. Dhe, sigurisht, kujtoj vrapimin e Mourinhos në fund të ndeshjes. Merita e madhe për atë mrekulli do t’i përkasë gjithmonë atij. I uroj Inzaghit të përjetojë një natë të tillë, e meriton për punën që ka bërë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit