Marotta: Cikli i Inzaghit tek Interi nuk ka përfunduar, ka nevojë t’i dëgjojë disa fjalë nga klubi

27 Maj 2025
10:37
Alfred Lleshi
back button

Giuseppe Marotta, presidenti i Interit, foli për “Sky Sport” në prag të finales së Champions League: “Ndjesitë e mia janë pozitive dhe përputhen me krenarinë për ta përfaqësuar futbollin italian në finale e Champions-it për herë të dytë në tri vite. Grupi dhe trajneri e meritojnë këtë. Duam të arrijmë në këtë ndeshje për të luajtur rol kryesor. Stambolli dhe vitet e tjera në Europë na kanë pasuruar, jam optimist që mund të bëjmë një ndeshje të madhe.

Juve ju mungon vetëm Champions-i si drejtues…
Unë nuk jam supersticioz, por po filloj të mendoj për këtë. Është finalja ime e katërt, e dyta me Interin, ndaj do të ishte gëzim i jashtëzakonshëm ta kurorëzoja fazën përfundimtare të karrierës me një fitore kaq prestigjioze.

Pse ju mungoi centimetri i fundit në kampionat?
Duke i dhënë meritat Napolit, kujtoj se ne kemi luajtur 19 ndeshje më shumë. Duket si një kampionat i tërë më shumë. Kjo ndikon në gjendjen fizike dhe mendore të skuadrës. Nuk dua të ndaj fajet apo gjej justifikime; i falënderoj këta djem të mrekullueshëm dhe trajnerin, na kanë dhuruar mbrëmje epike. Mbi të gjitha, përmbysja ndaj Barcelonës.

E ardhmja e Simone Inzaghit duket më pak e sigurt…
Trajneri ka reflektimet e tij, ka nevojë të dëgjojë disa fjalë nga klubi dhe ne jemi gati ta bëjmë këtë. Tani jemi të gjithë të përqendruar te një finale historike si ajo e Mynihut. Pastaj do të ulemi dhe do të flasim. Jam optimist, kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me Inzaghin. Për mua cikli i tij tek Interi nuk ka përfunduar. Shpresoj që të vazhdojë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit