Mbappé, kur tripleta ndaj Barcelonës dhe “Pichichi” i pritshëm e humbasin vlerën

12 Maj 2025
8:34
Alfred Lleshi
back button

Real Madridi kishte dy objektiva në Montjuïc: të fitonte për të ushtruar presion në garën e titullit të La Liga-s dhe të ndihmonte Kylian Mbappé të fitonte trofeun “Pichichi” (golashënuesi më i mirë).

Francezi vinte në një formë të shkëlqyer dhe ishte vetëm një gol larg për të barazuar Lewandowskin e dëmtuar. Plani nisi në mënyrë perfekte: dy gola nga ana e tij dhe 2-0 rezultati. Sidoqoftë, Barça tregoi karakterin e kampionit dhe përmbysi gjithçka në vetëm 15 minuta, duke shkatërruar ëndrrat madrilene.

Pavarësisht humbjes, Mbappé shënoi 3 gola, madje iu anuluan edhe 2 të tjerë për pozicion jashtë loje. Francezi bëri detyrën e tij, por jo edhe Real Madridi. Me këtë “hat-trick”, ai u bë lojtari i vetëm në histori që ka shënuar 3 gola në një “El Clasico” dhe e ka humbur ndeshjen.

Një rekord jo shumë pozitiv, që kujton atë të finales së Kupës së Botës 2022, ku Mbappé humbi ndaj Argjentinës së Leo Messit, edhe pse kishte shënuar 3 gola. Mbappé ka edhe e ndeshje për të siguruar “Pichichi”.

Meqë Lewandowski nuk është rikuperuar ende nga dëmtimi, duket e qartë që francezi mund ta fitojë çmimin e golashënuesit më të mirë të La Liga-s në sezonin e tij të parë. Një trofe që nuk do të vlejë për asgjë, pasi Real Madridi ka humbur La Liga-n, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve, dy prej tyre pikërisht ndaj Barcelonës.

Një sezon i tmerrshëm për ta përshëndetur Carlo Ancelottin dhe nisur një epokë të re. Real Madridi do ta mbyllë sezonin duke luajtur edhe kundër Mallorca, Sevilla, Real Sociedad. Tri ndeshje për të përgatitur Kupën e Botës për Klube, sfida e fundit e madhe për “Los Blancos”, ndoshta pa italianin në pankinë.

Një fund i trishtë, por që do të mbyllet me një fakt historik për klubin: Mbappé, me 39 gola, ka kaluar rekordin më të mirë të një debutuesi në historinë e Real Madridit. Rekordi i mëparshëm mbahej nga Iván Zamorano, por, ashtu si trofeu “Pichichi”, edhe ky është një rekord i pavlefshëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit